Faktin se mund ta hapni Twitterin ose të kërkoni nëpër Reddit kurdo që ju pëlqen ndoshta mund të mos e merrni seriozisht, por rreth gjysma e 7.7 miliardë njerëzve që jetojnë tani në planet nuk janë ende në gjendje t’i qasen internetit. Dhe ky është një problem i madh, sipas një hulumtuesi, shkruan sot Koha Ditore.
Merten Reglitz, filozof dhe pedagog i etikës globale nga Universiteti i Birminghamit në Britani të Madhe thotë se qasja në internet duhet të caktohet si një e drejtë themelore e njeriut, të cilën duhet ta kenë të gjithë.
“Qasja në internet është një mënyrë unike dhe e pazëvendësueshme për realizimin e të drejtave themelore të njeriut, siç janë fjala e lirë dhe kuvendimi”, shkruan ai në një punim të ri.
Argumenti është që qasja në internet tani është aq thelbësore për pjesëmarrje në jetën moderne, saqë pa të i vë njerëzit në një disavantazh serioz për sa u përket informimit, dëgjimit të zërave të tyre, realizimit të të drejtave të tyre themelore, dhe shumë më tepër. Për më tepër, nëse njerëzit nuk janë në gjendje ta paguajnë lidhjen e internetit, atëherë ajo duhet t’u ofrohet atyre falas, sipas Reglitz.
“Qasja në internet nuk është një luks, por përkundrazi e drejtë morale e njeriut dhe të gjithë duhet të kenë qasje të pamonitoruar dhe të pancensuruar në këtë medium global – falas për ata që nuk mund ta paguajnë”, thotë Reglitz. “Pa një qasje të tillë, shumë njerëzve u mungon një mënyrë domethënëse për të ndikuar dhe për t’i mbajtur përgjegjës vendimmarrësit ndërkombëtarë dhe institucionet. Këtyre individëve thjesht nuk u dëgjohet zëri në krijimin e rregullave të cilat ata duhet t’i zbatojnë dhe të cilat i formësojnë shanset e tyre të jetës”.
Reglitz tregon për Pranverën Arabe të fillimit të vitit 2010, fushatën #MeToo të viteve të fundit dhe dokumentimin e dhunës së pajustifikuar të policisë kundër afrikanoamerikanëve në SHBA si shembuj të mënyrave se si qasja në internet u ka ofruarliri, drejtësi dhe siguri grupeve të margjinalizuara. Të qenit online nuk i garanton këto mundësi, thotë Reglitz, por këto lëvizje të caktuara nuk do të ishin të mundshme pa mediat sociale dhe mundësinë e shpërndarjes dhe leximit të informacionit në internet.
Qasja në internet u mundëson njerëzve të jetojnë “jetë minimalisht të denja”, shkruan Reglitz në punimin e tij – duke siguruar diçka thelbësore përtej të gjitha memeve me mace dhe episodeve të pafundme në Netflix. Dhe derisa Reglitz e pranon se interneti mund të jetë gjithashtu një burim i dëmtimit dhe korrupsionit – për shembull mbikëqyrja masive dhe bulizmi kibernetik – ai thotë se në botën e sotme, qasja në internet është shumë e rëndësishme për cilindo popull.