Kosova përballet me një numër të madh të martesave të miturve mes moshës 16 dhe 18 vjeçare. Kjo dukuri ka qenë e shprehur në gjeneratat e kaluara dhe është trajtuar si shumë normale, mirëpo sot nuk mund të themi se është normale.
Vajzat kanë qenë dhe janë kryesisht ato të cilat martohen nën moshën 18 vjeçare, pa përjashtuar edhe një përqindje të vogël të meshkujve. Ligji e lejon që të dy mundë të jenë nën moshën 18 vjeçare, dhe jo shpesh si interpretohet gabimisht, se njëri duhet të jetë mbi moshën 18 vjeçare, që ndoshta edhe do të ishte pak më e pranueshme.
Hyrja në martesë në këtë moshë ndikon drejtpërdrejt në ndërprerjen e shkollimit, mundësi të vogël të punësimit dhe shumë shpesh përfundojnë më shkurorëzime ende pa i mbushë të tridhjetat.
Faktorët se pse hyjnë në martesë të hershme janë disa, por dy nga to janë primare. E para shtatzënia, qoftë e dëshiruar apo e padëshiruar dhe, e dyta martesë interesi për çështje të rregullimit të dokumentacionit dhe udhëtim jashtë vendit.
Është interesante se kohëve të fundit kemi të bëjmë me martesa dhe lindje të fëmijëve edhe nën moshën 16 vjeçare. Këto raste ligjërisht janë të dënueshme, por sa kemi raste të dënimit është një çështje krejt tjetër. Martesat e tilla prekin të gjitha komunitetet pa dallim.
Me Ligjin për Familjes, Ligji Nr. 2004/32, Neni 16. Thotë, Kushtet për lidhjen e martesës
(1) Personi i cili nuk ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeçare nuk mund të lidhë martesë.
(2) Për shkaqe të arsyeshme dhe sipas kërkesës së tij, gjykata kompetente mund t’i lejojë martesën personit të mitur më të vjetër se gjashtëmbëdhjetë vjet, nëse konstaton se personi i tillë ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike për të ushtruar të drejtat e veta martesore dhe për të përmbushur detyrimet martesore.
(3) Para se të marrë vendimin, gjykata do të kërkojë mendimin e Organit të Kujdestarisë, do ta dëgjojë të miturin dhe prindërit përkatësisht kujdestarin e tij. Gjykata gjithashtu do të dëgjojë personin me të cilin i mituri ka për qëllim të lidhë martesë, mendimin e institucionit përkatës shëndetësor dhe do të hetojë rrethanat tjera të rëndësishme për vendimin.
Në ndërkohë në Kosovë është duke u zhvilluar edhe Kodi Civil i cili ka për qëllim shfuqizimin e disa ligjeve, dhe përmirësimin e tyre, mirëpo tek çështja e martesave të miturve nuk ka paraparë ndonjë ndryshim. Në Projekt Kodin Civil i Republikës së Kosovës Neni 16 Aftësia për të vepruar thuhet “ Aftësinë e plotë për të vepruar e fiton me anë të martesës edhe personi mbi moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçare, me kusht që të ketë marrë lejen paraprake për martesë nga gjykata kompetente.”
Projekt Kodi Civil është bazuar në zhvillimet bashkëkohore dhe është thirr më tepër në modernitet, dhe avancim të disa çështjeve, mirëpo tek çështja e martesës së të miturve, duhet pas parasysh interesin më të mirë të fëmijës, dhe nëse një person konsiderohet fëmijë deri në moshën 18 vjeçare, pse të lejohet martesa e tyre. Martesa e tilla sjellin një situatë ku fëmija bëhet prind i një fëmije, duke rrezikuar shëndetin, mirëqenien dhe sigurinë e tij/saj.
Nëse me ligj thuhet se me hyrje në martesë e fiton aftësinë për të vepruar, a i lejohet që personi mundë të pajiset me patentë shoferi, pasi që lindja e fëmijës kërkon kujdes dhe një ndër nevojat është vetura.
Krejt në fund, propozimi i Institutit është që të ndalohet martesa e të miturve para moshës 18 vjeçare, dhe të stimulohet aftësimi dhe edukimi për jetë i gjithë personave në Republikën e Kosovës.
Mosha e martesës si e drejtë është mosha 18 vjeçare në të gjitha vendet evropiane, me përjashtim të Andorrës dhe Skocisë ku është 16 (për të dy gjinitë). Përjashtimet ekzistuese në këtë rregull të përgjithshme (zakonisht që kërkojnë pëlqimin e veçantë gjyqësor ose prindëror) janë diskutuar më poshtë. Në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, mosha e martesës bie në juridiksionin individual të shteteve anëtare. Konventa e Stambollit, instrumenti i parë ligjërisht i detyrueshëm në Evropë në fushën e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, kërkon vetëm nga shtetet që e ratifikojnë atë, për të ndaluar martesën e detyruar “neni 37” dhe për të siguruar që martesat e detyruara të mund të shfuqizohen lehtësisht për ta ndaluar viktimizimin e mëtejshëm (neni 32), por nuk bën asnjë referencë për moshën minimale të martesës.
8 shtete të Evropës, Shqipëria, Bjellorusia, Gjeorgjia, Gjermania, Gjibraltar, Holanda, Suedia, Zvicra dhe Danimarka nuk lejojnë martesën nën moshën 18 vjeçare, prandaj edhe Kosova mundë të bëhet pjesë e këtyre shteteve.
(Autori është drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë)