A e keni ditur se këto dy fruta mund t’ua përmirësojnë gjumin

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Tashmë dihet, ushqimet që hani mund të ndikojnë në gjumin tuaj. Nëse para se të flini keni konsumuar ushqime më të rëndë (për shembull me shumë yndyrë), gjasat janë që mund të keni gjumë të parehatshëm.

Por, a ka ushqime që mund ta bëjnë të kundërtën? Pra, ushqime që do ta përmirësonin gjumin tuaj?

“Ka disa hulumtime të besueshme që kanë gjetur lidhje mes gjumit dhe ushqimit”, thotë Marie-Pierre St-Onge, profesore e asocuar në Columbia University Irving Medical Center (New York).

Për shemull, ka të dhëna se kivi dhe qershitë mund të ndikojnë në përmirësimin e gjumit. Sipas një studimi në Tajvan, njerëzit të cilët hëngrën nga dy kivi një orë para gjumit, i ka zënë gjumi 14 minuta më shpejtë dhe kanë fjetur 40 minuta më gjatë se njerëzit të cilët nuk kanë ngrënë kivi. Kurse një studim tjetër më i hershëm (në Britani), gjeti se njerëzit që pinin lëng qershie 30 minuta pas zgjimit dhe 30 minuta para gjumit, kanë fjetur më gjatë dhe më mirë.

Por, pse këta dy fruta?

Dr. St-Onge thotë se qershitë dhe kivi përmbajnë melatonin. Melatonin është një hormon i prodhuar në mënyrë natyrale nga trupi, i cili ndër të tjerash, ndihmon në rregullimin e cikleve të gjumit.

Vlen të theksohet se qershia dhe kivi përmbajnë vitamina të ndryshme. Sidomos kivi, njihet si burim i pasur i vitaminës C, vitaminë e cila e forcon imunitetin tuaj. Duke marrë parasysh këto dobi, ju duhet t’i konsumoni këta fruta.

Sigurisht që pos frutave, ka edhe shumë faktorë të tjerë që e përmirësojnë gjumin.

Të ngjashme