Kuvendi i Kosovës është detyruar t’i ndërpresë punimet e seancës shkaku i ndaljes së energjisë elektrike.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca njoftoi se deputetët s’mund të vazhdojnë me fjalimet e tyre shkaku i ndërprerjes së energjisë deri sa të kalohet në sistemin me gjenerator.
“Pal ta kisha dhanë fjalën po nuk po ta jep se tash ka me na u ndalë rryma. Pasi do të na ndalet rryma derisa të kalojmë në sistemin tjetër me gjenerator kërkoj 5 minuta pushim dhe pastaj kthehemi në seancë prapë”, ka deklaruar Konjufca.
Gjatë seancës së djeshme në Kuvend është diskutuar kriza energjetike dhe kapacitetet prodhuese të rrymës në Kosovë të cilat se plotësojnë kërkesën e konsumatorëve.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë dje në Kuvend se qytetarët po shpenzojnë shumë energji elektrike, edhe për shkak se ajo u kushton lirë.
Duke njoftuar se “kriza energjetike po na troket në derë”, Kurti tha se Kosova po blen shtrenjtë rrymë dhe po ua shet atë shumë lirë qytetarëve.
“Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme, përderisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 centë për kilovat/orë. Pra, është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë dhe po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar”, tha Kurti.