Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila është kandidate për presidente, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentes në Kuvendin e Kosovës.
Osmani ka folur edhe për mundësin që Murat Jashari të jetë njëri nga kandidatët për postin e presidentit.
“Jeni duke me bërë pyetje për Vetëvendosje. Ne jemi marrë vesh që do të shkojmë me këtë kandidaturë. Plani A deri në ZH është kështu. Vullneti i qytetarëve është i pastër si kristali dhe është dëshmuar me 14 shkurt”, ka thënë Osmani në Kallxo Pernime.
Ajo e ka konfirmuar se nuk kanë biseduar me ndonjë parti për të parë se cili është qëndrimi i tyre karshi procesit të zgjedhjes së presidentit.
“Ne nuk kemi biseduar me ndonjë parti specifike, por ne bashkëpunojmë më të gjitha partitë në Kuvend, për t’i mbrojtur institucionet. Thirrja jonë për të gjithë është që për hir të stabilitetit institucional, të kontribuojnë. Se çfarë vote japin, ajo është çështje e tyre. Secili deputet e di se Vjosa Osmani si presidente nuk i bën e as nuk i ka bërë kurrë dëm vendit të saj, por përkundrazi në bashkëpunim me të tjerët do ta çoj përpara. Ne presim që secili deputet në mënyrë racionale të veproj në interes të Republikës, sepse edhe ashtu mundësi të tjera nuk ka. Mundësia tjetër na çon në zgjedhje”, tha tutje ushtruesja e detyrës së presidentes.