A janë rikthyer reduktimet e rrymës, flasin nga KEDS-i

Prishtinë | 12 Jan 2022 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Ndërprerjet e rrymës për disa orë, në disa lagje të Prishtinës, kanë alarmuar qytetarët për mundësinë e rikthimit të reduktimeve. Por, nga KEDS’i thonë se arsyeja e këtyre ndërprerjeve s’lidhet me reduktime. Sipas tyre, reduktime s’ka qe dy javë.

Kriza energjetike që ka përfshirë Kosovën, bëri që të ktheheshin reduktimet me energji elektrike pas dhjetë vjetësh.

Për aq sa zgjatën, kishte shumë pakënaqësi. E mungesa e rrymës për disa orë mbrëmë në disa lagje, ka bërë që qytetarët të mendojnë se janë rikthyer reduktimet.

Për këtë kanë folur nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike.

Zëdhënësi i KEDS’it, Viktor Buzhala i ka thënë Gazetës Express se qe dy javë s’ka reduktime në asnjë pjesë të vendit.

Sipas tij, nëse ka ndërprerje të rrymës, kjo është shkaku i ndonjë prishje. Thotë se edhe ato po rregullohen në kohën më të shkurtër të mundshme.

“Nuk ka reduktime nga KEDS askund dhe kjo gjendje vazhdon tash e më tepër se dy javë. Mund të ketë ndonjë prishje sporadike, të cilat po rregullohen në kohën më të shkurtër të mundshme. Por, ato prishje përfshijnë një numër të vogël të konsumatorëve”, ka thënë Buzhala për Express.

Prishje të tilla ka pasur edhe mbrëmë. Një pjesë e lagjes Aktash dhe një pjesë e Parkut të Qytetit kanë mbetur pa rrymë për mbi pesë orë.

Arsye për këtë ka qenë prishja e një kablloje në pusetën nëntokësore në rrugën “Bajram Kelmendi”.

Për këtë ka njoftuar vetë KEDS’i në faqen zyrtare.

“Përkundër temperaturave të ulëta e kushteve mjaft të vështira për të realizuar punën në pusetën nëntokësore në rrugën Bajram Kelmendi, ekipet tona po bëjnë përpjekje maksimale për ta sanuar sa më parë kabllon e cila furnizon një pjesë të lagjes Aktash dhe një pjesë të Parkut të Qytetit.

Në kohëzgjatjen e ndërprerjes së energjisë ka ndikuar edhe pamundësia e intervenimit të menjëhershëm si pasojë e ujërave të zeza, ku është dashur fillimisht të zbraset puseta në mënyrë që të fillohet me sanimin e kabllos”, ka njoftuar dje KEDS.

A do të arrijë KEK ta kthejë në prodhim bllokun B2 deri më 20 janar?

Ngritja e çmimeve të rrymës në tregjet globale dhe prodhimi i mangët për shkak të havarisë në KEK, kishin ngritur shqetësime te qytetarët se si do të përballeshin me mungesë energjie në temeperatura të ulëta.

Në qeverinë e Kosovës, dikush nga zyrtarët kishte përmendur edhe mundësinë e një sabotazhi, apo prishjeje të qëllimshme. Por, ka disa javë që në KEK kanë ardhur ekspertë nga Gjermania të cilët bashkë me ekspertët vendës po synojnë ta kthejnë bllokun B2 deri më 20 janar ashtu siç është premtuar.

Nga zyra për informim e Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë dhënë më shumë detaje për modalitetet e bashkëpunimit me kompaninë General Electric . 

“Ashtu siç e ka shpjeguar edhe Kryeshefi Ekzekutiv ditë më parë, po ripërsërisim se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka marrëveshje kontraktuale me kompaninë e prodhuesit origjinal të turbinave në TC Kosova B, pra me “General Electric” (GE) trashëguese e ALSTOM-it. Sa i përket punimeve ju bëjmë me dije se përfaqësues i GE bashkëpunon me ekspertët tanë dhe është në koordinim të vazhdueshëm me kompaninë GE. Ndërsa puna kryesisht bëhet prej ekspertëve të KEK-ut”, thuhet në përgjigjen me shkrim të KEK-ut.

Të pyetur se kur pritet të përfundojnë punimet, në KEK thonë se punimet po shkojnë dipas dinamikës që është paraparë.

 “Aktualisht punimet janë duke vazhduar sipas dinamikës së paraparë dhe për zhvillimet e mëtejmë KEK do ju njoftoi me kohë”.

Kujtojmë se pas më shumë se një dekade, Kosova u përball me reduktime të energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor. Tani situate duket më stabile, por akoma apelohet për kursim të energjisë elektrike. Ndërkohë, që nga KEDS ka paralajmërime për shtrenjtim të energjisë. Qeveria e Kosovës ndërkaq ka bërë me dije se do t’a mbulojë importin e energjisë shtesë që i nevojitet kosovarëve për konsum.

Të ngjashme