Propozimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshimin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë (Gjykata Speciale), para se të shkojë në duart e deputetëve, duhet të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese, për të parë nëse ndryshimi i propozuar pakëson ndonjë të drejtë apo liri të përcaktuar në Kushtetutë, vlerësojnë ekspertët e së drejtës kushtetuese.
Sipas Kushtetutës, këtë çështje te Gjykata Kushtetuese e adreson Kryetari i Kuvendit.
Në këtë rast, propozimi duhet të dërgohet pranë Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë.
Nëse ky propozim arrin te deputetët, ai duhet të miratohet me 2/3 e votave në kuvend, apo 80 vota.
Thaçi, në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar që të ndryshohet neni i amendamentit ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës të 3 gushtit, 2015, në bazë të të cilit është formuar Gjykata Speciale, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon në gusht të këtij viti.
Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian thuhet se mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës – gjë që konfirmohet edhe në këtë gjykatë.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, shpjegoi për Radion Evropa e Lirë se mandati i Gjykatës Speciale, sipas Kushtetutës, është pesë vjet, kurse, sipas ligjit, puna e gjykatës përfundon nëse Këshilli i BE-së lajmëron se kanë përfunduar rastet.
“Këtu ka pak paqartësi dhe për këtë arsye duhet të sqarohen. Kjo shkon përmes kryetarit të parlamentit, ose kryetares, e cila e ka për detyrë ta bëjë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Në parim, kjo duhet të dërgohet në Hagë. Atje në Hagë është kolegji i përbërë prej tre gjyqtarëve kushtetues dhe ata duhet të vendosin [nëse me ndryshimin e këtij amendamenti mund të pakësohen të drejtat dhe liritë e njeriut]”, tha Kryeziu.
Sipas tij, nëse merret për bazë Ligji për ratifikimin e marrëveshjeve, atëherë nuk ka nevojë të bëhet vazhdimi i mandatit, ndërsa, shtoi Kryeziu, nëse për bazë merret Kushtetuta, atëherë ajo duhet të sqarohet, sepse aty qartë përmendet mandati pesëvjeçar.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha se kërkesa e presidentit Thaçi drejtuar Kuvendit të Kosovës është në kundërshtim me amendamentin në fjalë kushtetues dhe nuk ka nevojë fare që kuvendi ta bëjë vazhdimin e mandatit të gjykatës.
“Institucionet e Kosovës, në bazë të amendamentit kushtetues, nuk kanë kompetencë dhe nuk mund të iniciojnë në asnjë rrethanë qoftë vazhdimin, qoftë përfundimin e mandatit të Gjykatës Speciale. Krejt çka duhet të bëhet është që institucionet të mos ndërmarrin asnjë veprim lidhur me gjykatën. Unë besoj se në ditët në vazhdim do të ketë reagim edhe nga Bashkimi Evropian”, tha Miftaraj.
Nagavci: Presidenti nuk i ka votat për ndryshimin e Kushtetutës
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nisma e re e presidentit është çështje që do të analizohet dhe më pas të vendoset për veprimet e nevojshme.
“Proceduralisht, në bazë të Kushtetutës dhe rregullores, [presidenti] ka të drejtë të iniciojë [ndryshimet], edhe pse unë nuk jam e sigurt për arsyet. Arsyeja e presidentit është kinse mandati i gjykatës po përfundon, e që nuk qëndron ashtu, sepse duhet të përfundojë në momentin kur përfundohen rastet [në gjykatë]. Në anën tjetër, në aspektin politik, ne e dimë se për amendamentin nevojiten 80 vota në kuvend, për të cilat nuk jam e bindur se presidenti i ka”, tha Nagavci.
Në Gjykatën Speciale në Hagë nuk kanë dashur të komentojnë veprimin e presidentit lidhur me vazhdimin e mandatit të gjykatës.
Mirëpo, në fund të vitit të kaluar, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a do të duhen institucionet e Kosovës të vendosin për vazhdimin e mandatit të gjykatës, zyrtarët në Hagë kanë thënë se “për vazhdimin e mandatit, nuk janë të nevojshme formalitetet ose veprimet specifike”.
Ata kanë konsideruar se “ashtu siç e parasheh ligji [për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së], i cili është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, mandati i gjykatës do të vazhdohet derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të mos e informojë Kosovën se të gjitha hetimet dhe të gjitha proceset në kuadër të Dhomave të Specializuara kanë përfunduar”.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Nga data 13 deri më 16 korrik, Thaçi është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën kundër Thaçit.