A janë vaksinat kineze efektive ndaj variantit Delta të Covid-19

Prishtinë | 01 Kor 2021 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Shumë shtete, nga Kina në Indonezi e deri në Brazil, varen jashtëzakonisht shumë nga vaksinat kineze për t’i imunizuar kundër koronavirusit qytetarët e tyre.

Por, së fundmi janë rritur shqetësimet nëse vaksinat e prodhuara në Kinë, ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme ndaj variantit Delta të koronavirusit, që fillimisht u identifikua në Indi.

Varianti Delta, konsiderohet se është më ngjitës sesa variantet e tjera të koronavirusit.

Kina nuk i ka bërë publike rezultatet e efektivitetit të vaksinave të saj ndaj variantit Delta, bazuar në provat klinike të shkallës së gjerë ose të dhënat pas vaksinimit të personave me këtë vaksinë.

Po ashtu, nuk ka ofruar informacione të detajuara nga testet laboratorike, por ekspertët kinezë po u bëjnë thirrje njerëzve që të vaksinohen kundër COVID-19 sa më shpejt që të jetë e mundur, raporton Reuters.

Mungesa e të dhënave të detajuara për efektivitetin e vaksinave kineze kundër variantit Delta, i ka penguar ekspertët e huaj të bëjnë rishikimin e këtyre vaksinave.

Hulumtuesit kanë gjetur se vaksinat kineze janë paksa efektive në zvogëlimin e rrezikut të rasteve simptomatike dhe rasteve të rënda të shkaktuara nga Delta, u tha gazetarëve Zhong Nanshan, një epidemiolog që ka ndihmuar institucionet e Kinës për t’u përballur me pandeminë COVID-19, raporton REL.

Ky qëndrim bazohet në analizën e infeksioneve në qytetin Guangzhou dhe Zhong, tha ai për Reuters, duke shtuar se rezultatet janë paraprake dhe se mostra e kësaj analize është e vogël.

Zëdhënësi i prodhuesit kinez të vaksinës Sinovac, Liu Peicheng, tha për Reuters se rezultatet paraprake bazohen në mostrat e gjakut te personat e vaksinuar me këtë vaksinë dhe se kanë treguar një ulje trefish të efektit neutralizues ndaj variantit Delta.

Ai tha se një dozë përforcuese, pas regjimit prej dy dozave, mund të shkaktojë shpejt një reagim më të fortë dhe më të qëndrueshëm të antitrupave, për ta luftuar variantit Delta.

Megjithatë, ai nuk dha detaje më të hollësishme për këtë çështje.

Antitrupat që prodhohen nga dy vaksinat kineze, janë më pak të efektshme kundër variantit Delta, krahasuar me variantet e tjera të koronavirusit, tha Feng Zijian, ish-zëvendësdrejtor i Qendrës kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Feng, gjatë një adresimi javën e kaluar për median shtetërore kineze, nuk dha detaje të tjera, përfshirë as emrat e dy vaksinave.

Dozat e vaksinave kineze ende mund të ofrojnë mbrojtje, pasi që asnjë prej personave të vaksinuar në provincën Guangdong të Kinës, ku fillimisht u regjistruan rastet e para me variantin Delta, nuk kishin simptoma të rënda të sëmundjes. Të gjitha rastet e rënda u shënuan në mesin e njerëzve të pavaksinuar.

Jin Dong-Yan, virolog në Universitetin e Hong Kongut, tha se komentet e Fengut nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur pretendimin se vaksinat kineze janë efektive ndaj rasteve të rënda me COVID-19, pasi sipas tij, duhen më shumë të dhëna.

Indonezia, që ditëve të fundit ka shënuar shifra rekorde të rasteve me variantin Delta, raportoi se qindra punonjës mjekësorë, pavarësisht se ishin vaksinuar me vaksinën e Kinës, Sinovac, ishin infektuar me COVID-19.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse këta punëtorë shëndetësorë në Indonezi, u infektuan me variantin Delta.

Krahasimi i vaksinave të Kinës me ato të Perëndimit

Një studim i kryer në muajin maj nga Shëndeti Publik i Anglisë, tha se vaksina Pfizer/BioNTech, ishte 88 për qind efektive ndaj sëmundjes simptomatike nga varianti Delta, dy javë pas marrjes së dozës së dytë të kësaj vaksine.

Kjo vaksinë, sipas këtij studimi, është 93 për qind efektive ndaj variantit Alfa të koronavirusit, që fillimisht është identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkaq, dy dozat e vaksinës AstraZeneca ishin 60 për qind efektive ndaj sëmundjes simptomatike nga varianti Delta, krahasuar me 66 për qind efektivitet ndaj variantit Alfa, tha Shëndeti Publik i Anglisë.

Nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të treguar se sa ofron mbrojtje vaksina e Johnson&Johnson, që jepet përmes një doze të vetme dhe ekspertët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara, janë duke e shqyrtuar mundësinë nëse duhet të japin doza përforcuese, duke përdorur vaksinat që janë prodhuar me metodën mRNA.

Sa është e rëndë situata epidemiologjike në Guangdong?

Guangdongu është qendra kryesore e prodhimit dhe eksportit në Kinë dhe pikërisht në këtë rajon, është regjistruar numri më i madh i rasteve me variantin Delta. Në Kinë, rasti i parë me variantin Delta u shënua në muajin maj.

Në kryeqytetin e provincës Guangdong, Guangzhou, deri më tani janë regjistruar 146 raste me variantin Delta dhe raste të rënda me COVID-19, janë shënuar në Shenzhen dhe në qytetin Dogguan.

Që prej 22 qershorit, nuk është raportuar për asnjë transmetim të variantit Delta brenda Kinës.

Çfarë ka bërë Kina?

Provinca Guangdong, që ka një popullsi prej 126 milionë banorësh, që prej shpërthimit të rasteve me variantin Delta, ka përshpejtuar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19. Më 19 maj, në këtë provincë ishin administruar 39.15 milionë doza të vaksinës, ndërkaq më 20 qershor, kjo shifër arriti në 101.12 milionë doza, raporton REL.

Qytetet Guangzhou, Shenzhen dhe Dongguan, menjëherë pas shpërthimit të infeksioneve të reja, vendosën masa izoluese në lagjet ku banonin personat e infektuar me variantin Delta dhe rastet e kontaktit po ashtu u izoluan dhe iu nënshtruan një sërë testesh kundër COVID-19.

Këto qytete, po ashtu kanë kërkuar që kushdo që ka udhëtuar jashtë kësaj province, përmes testit, të dëshmojnë se nuk janë të infektuar me COVID-19.

Epidemiologu Zhong, tha se pa masa efektive të kontrollit, 7.3 milionë banorët e qytetit Guangzhou do të ishin infektuar në 20-30 ditët e para, pas rastit të parë të identifikuar me variantin Delta.

Të ngjashme