Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës nuk është asnjë pacient i shtrirë i cili është prekur nga varianti Omicon i coronavirusit
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.
“Nuk ka asnjë pacientë i cili është i prekur nga Omicroni i shtrirë në Klinikën Infektive, ndërkaq dy pacientë janë të shtrirë në klinikë të prekur vetëm nga COVID-19”, ka thënë ai.
Ndryshe, javën që lëmë pas Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se janë konfirmuar nëntë raste të para me variantin Omicon të coronavirusit në Kosovë.
IKSHPK kishte bërë të ditur se këto raste janë importuar nga SHBA-të, Londra, Franca dhe disa të tjerë janë detektuar në komunën e Mitrovicës.
Simptomat e coronavirusit ende përfshijnë kollën më të zakonshme, temperaturë të lartë dhe humbje të shijes e nuhatjes. Pacientët kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një ndjenjë të çuditshme gërvishtjeje në fyt.
Lodhja e vazhdueshme, dhimbjet e muskujve, madje edhe djersitjet gjatë natës, mund të jenë të gjitha shenja të infeksionit Omicron.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 53 raste të reja me coronavirus.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka informuar se nga 3.263 testime, 53 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
Nga rastet e reja të konfirmuara, 11 raste janë konfirmuar në Mitrovicë, 5 raste në Prishtinë, 4 raste në Drenas, 3 raste në Klinë, 3 në Ferizaj, 2 raste në Deçan, 1 rast në Suharekë, 1 rast në Gjakovë, 1 rast në Prizren, Fushë Kosovë dhe Viti, shkruan Telegrafi.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në total numri i rasteve aktive është 419. Ndërkaq, në 24 orët e fundit janë dhënë 2.324 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.671.559 doza të vaksinës.