Pas shumë presioneve ndërkombëtare dhe pas arritjes së marrëveshjes së Ohrit, tashmë në tavolinën e dialogut në Bruksel po diskutohet për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Drafti i propozuar nga Ekipi Menaxhues në takimin e 2 majit është refuzuar kategorikisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka dalë me një vizion të vetin për themelimin e Asociacionit të bazuar në modelin kroat. Ambasadori britanik, Nicholas Abbott e ka nxitur që të dalë me një draft të bazuar në modelin që Kurti ka përzgjedhur.
Por a mund të funksionoj një model i tillë në Kosovë dhe me karakteristikat që ka Kosova. Lidhur me këtë ka folur ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç.
Ai ka thënë se është e vështirë të flitet për një model ideal të rregullimit të jetesës së komuniteteve, megjithatë thotë se modeli kroat është dëshmuar të jetë funksional dhe i qëndrueshëm për komunitetet që jetojnë në të njëjtën hapësirë.
“Është e vështirë të flitet për një model ideal të jetës së komuniteteve të ndryshme, pasi asgjë në jetë nuk është ideale. Megjithatë, modeli kroat është dëshmuar të jetë funksional dhe i qëndrueshëm për komunitetet që jetojnë në të njëjtën hapësirë”, ka thënë Stipe Mesiç për Express.
I pyetur nëse modeli kroat mund të ketë ndonjë mospërputhje për shkak të specifikave të Kosovës, Mesiç ka thënë se nwse marrëdhëniet e jetës janë të koordinuara mirë në rastin specifik, atëherë s’ka nevojë të devijohet nga modeli i adoptuar i jetesës.
Mesiç ka potencuar se të gjitha pakicat kombëtare në Kroaci kanë autonomi kulturore të rregulluar me ligj, përmes përfaqësimit në organet qeveritare e deri në Parlamentin e Republikës së Kroacisë.
Të martën në Prishtinë ka ardhur edhe shefi i diplomacisë kroate, Gordan Grlic Radman. AI ka thënë se modeli kroat është i suksesshëm dhë mund të shërbejë si një shembull. Ai tutje ka shtuar se një model i tillë ka rezultuar i sukseshëm për Kroacinë në rrugën e integrimit drejt BE-së.
“Kur flasim për modelin të quajtur kroat, është model që është promovuar përmes ligjit kushtetues për të drejtat e pakicës. Si model është i suksesshëm dhe si i tillë ndoshta mund të shërbejë si një shembull. Natyrisht që ishte i vlerësuar dhe i lidhur me qasjen tonë në BE, ky model ka rezultuar me sukses për ne. Por, për të gjithë ata që dëshirojnë ekzistojnë shumë të tjerë”, ka deklaruar në një konferencë për media kryediplomati kroat.
Për modelin kroat të propozuar nga Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell. Ai ka folur vetëm për draftin e propozuar nga Ekipi Menaxhues, për të cilin ka thënë se nuk është draft përfundimtar por pikënisje për çështjen e themelimit të Asociacionit.
“Nuk është draft përfundimtar, por është një pikënisje”, ka deklaruar Borell.
Ndërkohë emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për të dy draftet, edhe ai i kryeministrit Kurti dhe ai i Ekipit Menaxhues, se janë serioze.
“Mendoj se është serioz (drafti i Kurtit), por edhe ai i prezantuar nga Ekipi Menaxhues është po ashtu serioz”, ka deklaruar Escobar.
Qeveri e Kosovës ka shprehur kundërshtinë e hapur ndaj propozimit të Ekipit Menaxhues që kryesohej nga bashkëpartiakja e Aleksander Vucicit. Një ditë pas takimit të 2 majit, Kurti përmes ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka shkarkuar Ekipin Menaxhues.
Një veprim i tillë është konsideruar si shkelje e marrëveshjes së Ohrit sa i përket aspektit të krijimit të frymës pozitive në proces. Nga BE-ja gjithashtu kanë thënë se mandati i Ekipit Menaxhues përfundon në momentin që finalizohet drafti për krijimin e Asociacionit.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërkohë ka paralajmëruar se Kosova mund ta braktisë procesin e dialogut nëse do të bëhet përpjekje që të krijohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive, siç është propozuar modeli nga Ekipi Menaxhues që drejtonte Danijela Vujicic.
“Nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë të themi ne mirupafshim, se nuk ka interes këtu. Normalizimi vjen për shkak se shkohet drejt njohjes së ndërsjellë, normalizimi nuk vjen me shkatërrua shtetin e Kosovës me një republikë serbe”, ka thënë kryekuvendari Konjufca.
Kosova në bazë të marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 ka marrë për obligim themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Megjithatë dokumenti me parimet për themelimin e tij ishte gjetur se bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në disa pika, dhe kjo ishte shfrytëzuar si argument gjatë gjithë kohës për të refuzuar krijimin e Asociacionit.
Pavarësisht kësaj, Washingtoni dhe qendrat e BE-së në vazhdimësi kanë bërë presion që Kosova të implementojë marrëveshjet e kaluara. Kryeministri Albin Kurti pas një rezistence të madhe dhe një të kaluare opozitare të ngritur mbi kundërshtinë për Asociacionin, ishte dorëzuar në Ohër kur kishte pranuar marrëveshjen.