Më 26 prill të këtij viti, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin “Veteranët”, ku të akuzuarit Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku dhe Smajl Elezaj do të gjykohen sërish nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Çështja e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte bërë kryetemë vendore pas akuzave për “fryerjen e listave të veteranëve”, që akuzonin pjesëtarët e komisionit verifikues të veteranëve se ju kanë dhënë statusin e veteranëve edhe personave që nuk kishin qenë në luftë.
Megjithatë, për akuzat e lartcekura Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar nga akuza të pandehurit më 19 janar të vitit 2021, rast ky i cili u kthye në rigjykim nga Apeli gjatë këtij muaji.
Për listat e veteranëve kishte folur së fundmi edhe kryeministri Albin Kurti, duke deklaruar se nuk ka mundësi që Kosova të ketë pasur kaq shumë luftëtarë në UÇK dhe duke kërkuar kështu riverifikim të listave.
Në anën tjetër, Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku mendon se një riverifikim i listave nuk mund të bëhet pa u marrë vendimi gjyqësor për rastin “Veteranët”.
“Ato janë çështje të gjyqësorit, nuk janë çështje tona. Nuk ka të drejtë me i prek askush as me i verifiku ato lista, se është çështje e gjykatës, lëndët janë të gjitha në Prokurori e në Gjykatë. Ka kush merret me to, është çështje e procesit gjyqësor, tjerët çfarë flasin janë vetëm lojëra për opinionin. Si mund të bëhet verifikimi i listave pa i pasë lëndët? Të gjitha lëndët, pra aplikacionet e veteranëve janë në Prokurori. Do të thotë se janë çështje e gjykatës dhe gjykata nuk i kthen ato pa u kry procesi gjyqësor. Nuk kanë kush çka me verifiku kur nuk kanë as letra”, ka thënë Klinaku në një përgjigje për lajmi.net.
Ai ka thënë se pas kthimit në rigjykim të rastit “Veteranët”, gjithçka i mbetet në dorë Gjykatës e cila do të ketë mundësinë të vendos nëse duhet të ketë përsëritje të procesit së verifikimit të veteranëve të luftës.
Për mundësinë e procesit të riverifikimit të listave të veteranëve ka folur edhe njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj.
Në një prononcim për lajmi.net, Miftaraj ka thënë se listat e veteranëve mund të shpallen të pavlefshme nëse ndaj të akuzuarve në rastin “Veteranët” merret vendim dënues.
“Gjykata e Aplet në vendimin e saj ka konstatuar se Themelorja në Prishtinë, pra trupi gjykues, ka pasë shkelje esenciale sipas të cilave nuk janë trajtuar të gjitha çështjet që të merret vendim meritor për rastin në fjalë. Në këtë mënyrë, Gjykata Themelore është e obliguar që të gjitha gjetjet e Apelit t’i adresojë dhe gjatë rigjykimit dhe të gjykohen të gjitha rrethanat në mënyrë të drejtë e adekuate ashtu siç e përcakton Kodi i Procedurës Penale. Sidoqoftë, në këtë fazë është herët të konstatohet se cili do të jetë epilogu i këtij rasti, ose varësisht faktit nëse në këtë rast do të kemi aktgjykim dënues apo lirues. Pastaj, kjo lidhet me faktin nëse listat e veteranëve mund të kthehen në pikën 0 apo të shpallen të pavlefshme”, ka thënë Miftaraj.
Ai ka deklaruar se nëse do të kishim një aktgjykim dënues të formës së prerë i cili do të vërtetonte se Komisioni ka bërë shkelje, atëherë kjo do të ndikonte automatikisht në listat e veteranëve, e që do të nënkuptonte verifikim të ri të të gjithë veteranëve të luftës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe ish-komandant i UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha, ka thënë se nuk mund të komentojë procesin gjyqësor për rastin “Veteranët”, pasi që është çështje gjyqësore.
Por, Berisha ka folur për mundësinë e riverifikimit të listave, ku ka theksuar se problem është edhe çështja e ofrimit të statusit së veteranit bazuar në Ligjin në fuqi.
“Rasti ‘Veteranët’ tashmë është kthyer në rigjykim dhe është çështje gjyqësore, andaj nuk i jap të drejtë vetes me e paragjyku. Sa i përket rishikimit dhe riverifikimit të listave, unë nuk e përjashtoj mundësinë e keqpërdorimeve dhe depërtimeve të personave joadekuatë, mirëpo gjithashtu një numër i madh i njerëzve mbeten jashtë statusit të veteranit si pasojë e Ligjit që trajton statusin e pjesëtarëve. Me Ligjin në fuqi, shërbimi mjekësor, shërbimet mbështetëse, vëzhgimi, policia etj., nuk trajtohen si veteran, gjë që është e padrejtë në aspektin e strukturës dhe sistemit të luftimit atje, sepse këta janë njerëz kyç për të funksionuar luftëtarët në vija të frontit. Hartuesit e atij Ligji nuk e kanë pasë në konsideratë këtë situate, e tash e kanë sjell situatën që të krijohet kontigjent i njerëzve që ju mohohet statusi. Pastaj janë edhe kategoria që kanë pasaktësi në informacione, që s’do të thotë se janë raste mashtruese, por thjesht duhet të korrektohen, e që kjo mund të bëhet përmes një Komisioni”, ka thënë Berisha.
Tutje, Berisha ka përmendur edhe deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka kërkuar riverifikim të listave të veteranëve.
“Një riverifikim i listave ashtu siç ka thënë edhe kryeministri nuk mund të bëhet, sepse njerëzit që duhet t’i verifikojnë dhe t’i konfirmojnë statuset e luftëtarëve janë komandantët që kanë drejtu me njësi, pra nuk mund të vie dikush nga jashtë të thotë ‘ky është i saktë, ky nuk është i saktë’. Është ‘nonsense’ nëse mendohet kështu sepse prap do të jenë të njëjtit komandantë dhe nëse janë të njëjtit, çfarë logjike ka rishikimi i procesit. Ajo çfarë mund të bëhet është të kërkohet prej një komisioni korrigjimi aty ku ka informacione të papërputhura dhe pastaj shohim se çfarë të bëjmë”, ka thënë ai.
Berisha ka përmendur edhe një rast të cilin ka thënë se e ka përmendur edhe në Kuvendin e Kosovës, duke marrë shembull se si ju mohohet e drejta e statusit të veteranit disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Unë e kam përmend në Kuvend, andaj po e them edhe këtu me emër. Rrustem Jasiqit i shkruan vendlindja Jasiq, ndërsa komuna s’i shkruan fare që është dashur t’i shkruhet Junik. Për këtë gabim teknik, familjes së këtij dëshmori i ndalet pensioni. Janë momente që po bëhen padrejtësi ndaj veteranëve dhe familjeve të tyre sepse këto janë çështje teknike që mund të rregullohen me certifikata të lindjes të gjendjes civile dhe me konfirmim të tyre. Pse t’i shkaktojmë pakënaqësi e t’i mundojmë këto raste, të cilët janë meritorë për lirinë që gëzojmë sot”, ka thënë Berisha.
Deputeti i PDK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së ka deklaruar se Neni që trajton statusin e veteranëve duhet të ndryshohet në mënyrë që të përfshijë edhe kategori të tjera të veteranëve.
“Neni aktual që trajton pjesëtarët e UÇK-së është specifik dhe përjashton shumë kategori të njerëzve që kanë qenë në luftë për shërbime logjistike, furnizime me municion, me uniforma, me armë, ata janë njerëz që kanë bartur municionin dhe armët deri tek ushtarët në vijën e frontit. Pastaj, ka njerëz që kanë shkuar në Shqipëri me krah kanë bartur armatim e municione nëpër vijat e kufirit. Ne nuk kemi pasur ushtri të rregullt, andaj logjistika jonë ka qenë që djemtë e Kosovës nga fshatrat, kanë shkuar direkt në Shqipëri nëpër pushkët e armikut që kanë ruajtur kufirin dhe janë kthyer po nga ato vija. Tash ti këto po i quan shërbim i logjistikës dhe ‘ky nuk është luftëtar’. Është një absurditet që po e krijojmë”, ka deklaruar Berisha.
Deputeti Berisha ka deklaruar se Kosova si duket ka adaptuar ndonjë ligj të ndonjë shteti, e që i njëjti nuk i përshtatet specifikave në të cilat është organizuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Ne kemi qenë ushtri vullnetare, ne nuk kemi pasë ushtri të shtetit dhe shtet që të themi se po lufton ushtria dhe qytetari civil nuk ka obligime. Pra krejt këta janë vullnetarë që kanë sakrifiku jetën. Unë di luftëtar që ka shkuar në Shqipëri për armë, nuk ka arritë me marrë armë se u vra në vijë të kufirit. Çka me i thënë këtij djali? Unë jam jurist vet, në interpretime thotë se krahas interpretimit autentik është ai arsimor e tradicional, por nëse nuk e ke bo edhe interpretimin logjik, ti s’ke bërë Ligj. Prandaj, duhet të ketë kujdes në hartimin e këtij drafti dhe duhet me pa mangësitë që ka dispozitivi që rregullon statusin e pjesëtarit, duhet me eleminu. Unë e kam parë luftëtarin doktor, që ka luftuar me armë për të nxjerrë të plagosurin. Çfarë është ky? Shërbimi mjekësor tash nuk hyn te veteranët? Njëjtë me vëzhguesit që ka rol statik në luftë, apo polici që ka siguruar pozicione të rëndësishme gjatë luftës. Pra veteranët që kanë marrë pjesë në luftë nuk mund të trajtohen në këtë mënyrë, se është e padrejtë”, ka thënë Berisha.
Në fund, ai ka deklaruar se Ligji në fuqi është marrë si model nga Kroacia apo ndonjë shtet tjetër, por që këto shtete kanë hyrë në luftë si shtete me ushtri të rregullta dhe sistem hierarkik të rregulluar.
Berisha ka thënë se në Kosovë nuk ka pasur kësilloj organizimi, pasi që veteranët ndahen në veteran luftëtar në vijë të frontit, veteran-luftëtar në zonën e luftimit dhe veteran luftëtar jashtë zones së luftimit.
Kujtojmë se lajmi.net para dy ditësh ka kontaktuar edhe me ish-ministrin e Mbrojtjes nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rrustem Berisha, i cili është njëri nga të akuzuarit në rastin “Veteranët”.
Ai ka thënë se nuk do t’i komentojë vendimet e gjykatës, ndërsa ka konfirmuar se do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës kur të fillojë rigjykimi i rastit.