Coronavirusi tashmë ka marrë jetën e mbi 170.000 amerikanëve për gjashtë muaj. Gripi sezonal, i cili zakonisht shfaqet nga tetori deri në prill, zakonisht shkakton dhjetëra mijëra vdekje. Nëse të dy viruset fillojnë t’i sulmojnë amerikanët njëkohësisht, kjo mund të krijojë atë që drejtori i CDCO-së, dr. Robert Redfield, e ka quajtur së fundmi “vjeshtën më të keqe prej perspektives së shëndetit publik që e kemi pasur ndonjëherë”. Por ç’është e vërteta, askush nuk e di se çka do të ndodhë kur të vijë vjeshta. Ka gjasa se gripi sezonal do të jetë një nga pjesët e tjera të jetës, e cila është e ndikuar nga pandemia në mënyra të çuditshme e të papritshme.
Ekspertët kanë thënë se është e mundur që masat për distancë sociale dhe mbylljet e bizneseve anembanë si pasojë e COVID-19 do ta ulin përhapjen e gripit, kështu që do të jetë edhe më pak i përhapur sesa në sezonet e zakonshme, ashtu si duket se ka ndodhur në vendet e tjera. Por ata po brengosen se nëse lirohen masat, kjo vijë ndarëse nuk do të ekzistojë më.
Paralajmërimi shkencor
“Nëse gjërat po shkojnë drejt një drejtimi të duhur, atëherë mund të zbatojmë rihapjen, dhe kjo mund të rastësisë me mesin e sezonit të gripit – në fakt mund të shkaktojmë rritje të bartjes së virusit me këtë veprim”, ka thënë dr. Geoffrey Leung, drejtor mjekësor i ambulancës në sistemin spitalor të Universitetit të Riversidet. “Vërtet jemi të obliguar që të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur që ta parandalojmë çdo rast gripi që mundemi me mjetet tradicionale”. Rihapja e shkollave posaçërisht do të ishte e rrezikshme. Edhe pse ndjeshmëria e fëmijëve për t’u sëmurë rëndë nga COVID-19 duket se ka qenë relativisht e ulët, fëmijët janë të ndjeshëm sidomos ndaj gripit.
Virusi sillet si i tërbuar nëpër shkollë dhe kësisoj fëmijët e marrin dhe e çojnë te familjet e tyre. Leung dhe ekspertët e tjerë rekomandojnë që njerëzit ta marrin vaksinën kundër gripit, në mënyrë që ta ulin mundësinë e marrjes së gripit dhe ta zvogëlojnë ashpërsinë e sëmundjes për ata të cilët infektohen. Ata gjithashtu këshillojnë që njerëzit t’i zbatojnë rregullat si: bartja e maskës dhe mbajtja e distancës, që janë vendosur për ta mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit, për arsye se këto masa do ta mbajnë larg edhe gripin e zakonshëm. “Pjesa që më frikëson më së shumti është se nuk e dimë se çfarë reagimi do të ketë nëse dikush është i infektuar edhe nga virusi, edhe nga gripi në të njëjtën kohë”, ka thënë dr. Alexander Li, zyrtar mjekësor për Planin e Kujdesit Shëndetësor të Los Anxhelosit. “Ta kesh edhe COVIDIN, edhe gripin, me gjasë ky është lajmi më i keq”.
Rezultate të përziera
Një numër i vogël i studimeve nga Kina dhe SHBA-ja kanë identifikuar pacientët me grip dhe COVID-19, por kanë pasur rezultate të përziera. Disa kanë gjetur se këta pacientë dukeshin më të sëmurë sesa pacientët me COVID e pa grip; disa nga studiuesit nuk gjetën ndonjë dallim. Nëse një pacient vjen në spital me të dyja infeksionet, mjekët munden të mos i diagnostikojnë aty për aty të dyja sëmundjet, pasi që në dukje kanë simptoma identike. Nëse vihet re gjendja shëndetësore, nuk është se kanë shumë dijeni se si të trajtohen pacientët e këtillë. Ka barna që e ulin ndjeshmërinë për t’u infektuar me grip dhe barna që bëjnë po të njëjtën gjë me COVID-19, por barnat dallojnë dhe mund të mos përzihen edhe aq mirë. Kur pandemia e koronavirusit ishte shfaqur në fillim të këtij viti, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gripi sezonal po zvogëlohej.
Gripi zakonisht e arrin kulmin në Amerikë gjatë muajve dhjetor dhe janar. Por gripi sezonal ndodh gjatë dimrit të hemisferës jugore, i cili përkon me verën në hemisferën veriore. Përvoja atje zakonisht prodhon shenja të ngjashme se si mund të duket gripi në veri me fillimin e vjeshtës. Por në vitin 2020, pothuajse nuk ka pasur fare raste të gripit në vendet si Australia dhe Brazili. Ekspertët kanë thënë se numri i kufizuar i fluturimeve dhe masat e distancës sociale kanë mundur të ndikojnë në importimin e sëmundjes në ato vende, po ashtu edhe në shpërndarjen e tij përbrenda vendit.
Spekulimet
Ka gjithashtu edhe mendime se vetë koronavirusi e ka mbajtur jashtë loje gripin – me shpjegimin se vetëm një virus respirator mund të mbijetojë në një kohë të caktuar. Ekspertët kanë thënë se dukuria mundet që teorikisht të funksionojë në të dy drejtimet, por nuk llogarisin për këtë gjë.