Bashkëatdhetarë të shumtë erdhën në Kosovë për pushimet e verës. Derisa për secilën veturë atyre u dashtë të paguaj policën e sigurimit për t’u futur në Kosovë.
Ani pse Qeveria e Kosovës kishte ndarë 3 milionë euro për rimbursimin e kësaj pagese, shumë prej bashkëatdhetarëve po thonë se nuk kanë pranuar këto rimbursime.
Lidhur me këtë Albinfo.ch ka biseduar me bashkëatdhetarin B.Haxhiu që jeton në Gjermani. Ai ka treguar se kur pati hyrë në Kosovë me 03 gusht 2022 kishte paguar 15 Euro për policën kufitare. Deri më sot kur jemi në fund të muajit tetor ai nuk e ka pranuar rimbursimin nga Qeveria e Kosovës.
Albinfo.ch ka provuar disa herë të kontaktojë me Ministrinë e Financave lidhur me procesin e këtyre pagesave, por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje se sa ka qenë numri i policave kufitare të rimbursuara deri më tani dhe kur pritet të përfundojnë.
Sidoqoftë, në një përgjigje të shkurtër nga Ministria e Financave për Albinfo.ch, thuhet se “Rimbursimi i policave kufitare për mërgimtarët po realizohet në vazhdimësi. Të gjitha aplikimet e bëra deri në qershor 2022 janë shqyrtuar dhe pagesat janë realizuar për ata që i kanë plotësuar kushtet”.
Të pyetur me atë se çfarë do të thotë nëse nuk i kanë plotësuar kushtet, a ndodhë që nuk do të rimbursohen fare bashkëatdhetarët, Ministria nuk ka kthyer përgjigje tutje.
Në anën tjetër, në një pytje të parashtruar në Kuvendin e Kosovës nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, se sa mërgimtarë kanë bërë pagesën e policës së sigurimit gjatë periudhës 1 qershor-31 gusht 2022 dhe sa kanë aplikuar të rimbursohen nga Qeveria, Ministri i Financave, Hekuran Murati është përgjigjur për numrin e aplikantëve.
“Sa i përket numrit se sa kanë qenë hyrjet, këtë informatë Ministria e Financave nuk e ka. Është informatë që e posedon Ministria e Mbrojtjes, Byroja Kosovare e Sigurimeve që i ka lëshuar polisat. Për periudhën që e keni cekur, numri i aplikantëve për rimbursim është 8 mijë e 845, por në tërësi kemi 11 mijë e 923”, tha Murati.
Ndryshe, pak ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransiqi, ka bërë një postim në rrjetin social Facebook, ku ka shkruar se gjatë sezonës së verës në Kosovë kanë hyrë mbi 222 mijë vetura me mërgimtarë.
“Nga 1 qershori deri më 31 gusht 2022 në Kosovë kanë hyrë 222,274 vetura me mërgimtarë. Të gjithë, pa përjashtim, kanë paguar polisën e sigurimit në kufi. Për shkak të procedurave të komplikuara burokratike që i ka vendosur Qeveria, vetëm 11,923 mërgimtarë kanë aplikuar për rimbursim, ndërkaq, deri sot, vetëm 8,845 prej tyre kanë përfituar rimbursimin”.
Tutje, Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti po i injoron kërkesat e mërgimtarëve meqë nuk ka më nevojë për votën e tyre.
Ndryshe, Albinfo.ch ka provuar të kontaktoj edhe me Byronë Kosovare të Sigurimeve që i ka lëshuar policat për bashkëatdhetarët, në mënyrë që të kemi të dhëna zyrtare, mirëpo të njejtit nuk kanë kthyer asnjëherë përgjigje.
Kujtojmë se këtë vit Qeveria Kurti kishte ndryshuar formën për pagësen e policave kufitare. Për dallim nga viti i kaluar që mërgimarët ishin të liruar nga pagesa e policsë, këtë vit, Qeveria vendosi që fillimisht mërgimtarët të paguajnë policën kufitare pastaj të aplikojnë për rimbursim të mjeteve. Kjo formë, nuk u pritë mirë nga diaspora, të cilët theksuan se merr shumë kohë dhe se nuk do të aplikojnë. Për të mos harruar, Qeveria Kurti kishte premtuar se do të angazhohet më shumë që Diaspora të jetë pjesë e vendimarrjes në Kosovë.