A u fol për “gjendjen e jashtëzakonshme”, Hoti për herë të dytë në zyrë të Thaçit

Prishtinë | 25 Kor 2020 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, për herë të dytë brenda pak ditëve. Në këtë takim, temë qendrore ka qenë situata e rënduar në vend si pasojë e pandemisë, derisa nuk dihet nëse dy krerët e institucioneve kanë diskutuar edhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Megjithëkëtë kreu i Qeverisë në konferencë ka paralajmëruar se pas dy ditëve do të ketë një vlerësim përfundimtar të gjendjes dhe ka paralajmëruar masa të reja.

Në komunikatën e dërguar nga zyra e presidentit thuhet se kanë diskutuar për koordinimin ndërinstitucional në kuadër të luftës kundër pandemisë, për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik, reformat dhe pakon ekonomike.

Thaçi ka thënë se është jashtëzakonisht me rëndësi që bashkëpunimi ndërinstitucional të jetë efektiv.

“Diskutuam si ta tejkalojmë sa më mirë, sa më lehtë dhe sa më shpejtë pandeminë, që të respektohen të gjitha rekomandimet e ekspertëve dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Dhe në këtë drejtim duhet të punojmë të gjithë së bashku, por para së gjithash të kemi një respektim të plotë prej të gjithëve, pa dallim, të masave që rekomandohen prej institutit”, ka thënë presidenti Thaçi.

 I pari i vendit përsëriti që e mirëpret emërimin e Skënder Hysenit si Koordinator për Dialogun, ndërkaq theksoi se dialogu assesi nuk guxon të rrëshqasë në nivel teknik.

“Ne duhet të qartësojmë raportin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pra të ndodhë njohja reciproke dhe në asnjë rrethanë të mos lejojmë që ky proces të zbresë në nivel teknik, sepse raporti i Kosovë – Serbi është kryekëput politik dhe jo teknik. Në nivel teknik nënkupton status-quo dhe respektim i agjendës së Serbisë”, deklaroi Presidenti i Kosovës.

Të ngjashme