A u intervistua reperi Buta për vrasjen që po dyshohet vëllai i tij? Flet Prokurori i rastit

Prishtinë | 10 Qer 2022 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Tashmë janë bërë dy javë që nga ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Ferizajt dhe mbarë vendin, ku i riu Qëndrim Januzi qëlloi Gazmend Hysenin me shtatë plumba, duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes. Januzi tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit, teksa hetime për vrasje të rëndë po vazhdojnë. Sinjali mëson se Prokuroria ka intervistuar disa dëshmitarë lidhur me këtë rast. Por a është në mesin e tyre edhe vëllai i Qëndrimit, reperi Betim Januzi, i njohur si ‘Buta’, ka treguar për Sinjalin Prokurori i rastit, Shukri Jashari.

Në një prononcim për Sinjalin lidhur me hetimet që po zhvillohen për këtë rast të vrasjes së rëndë, Jashari ka njoftuar se janë ftuar disa persona që kanë dëshmuar lidhur me rastin.

“Betim Januzi ende nuk është intervistuar, janë intervistuar disa dëshmitarë të tjerë, por Buta ende s’është intervistuar pasi nuk është ftuar. Jemi duke e shqyrtuar lëndën dhe provat që janë mbledhur e kështu me radhë”, tha prokurori në një prononcim për Sinjalin.

Edhe pse Betim Januzi ende nuk ka dhënë ende deklaratë, vrasjes së ndodhi mesnatën e 28 majit, dyshohet se i parapriu një rast në të cilin ishin involvuar palët, e që kishte të bënte pikërisht me djegien e veturës së reperit. Edhe në dosjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj thuhet  se vrasjes pretendohet se i kishte paraprirë ky incident me veturën e djegur.

Teksa hetimet e Prokurorisë për veturën që u dogj po vazhdonin, i riu Qëndrim Januzi siç duket vendosi t’i qërojë hesapet vet, kur më 28 maj, në afërsi të një marketi në Ferizaj, qëlloi mbi viktimën.

Në pamjet ekskluzive të publikuara nga Sinjali shihet se e gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të Policisë të cilët ishin rastësisht në vendngjarje. Ata ishin ndalur për të marrë ujë në market, kur vërejnë të dyshuarin me pistoletë në dorë duke ikur, pasi kishte shtënë shtatë herë në drejtim të viktimës Gazmend Hysenit.

Në tentativë për ta ndaluar, i dyshuari nuk përfilli urdhrin e zyrtarit policor dhe për një moment ishte kthyer me pistoletë në dorë, duke e drejtuar kah zyrtari policor. Për ta ndaluar personin e dyshuar për vrasjen e rëndë, pjesëtari i Policisë, Njësiti Antidrogë në Ferizaj, ka qëlluar në drejtim të Januzit, duke e goditur në nofull dhe si pasojë e plagëve, i dyshuari menjëherë u pasivizua.

Hetimet ndaj zyrtarit policor që plagosi të dyshuarin

Pjesëtari i Policisë, që dyshohet se plagosi të dyshuarin po hetohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për dy vepra penale.

Prokurori ka rikonfikuar sërish se mbi zyrtarin policor rëndojnë dyshimet se ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme