Deputeti Besnik Tahiri është emëruar edhe zyrtarisht nga AAK-ja për shef të grupit parlamentar.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim të kësaj partie, përmes të cilit Tahiri ka treguar emrat e deputetëve të AAK-së në komisionet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Besnik Tahiri, para pak ditësh, është kandiduar nga partia e Ramush Haradinajt edhe për te parin e Komunës së Podujevës, pas disa tentativave për ta marrë kreun e Prishtinës në zgjedhjet e shkuara komunale.
Njoftimi i plotë:
Shefi i grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, sot mori pjesë në mbledhjen e radhës së Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbledhje kjo në të cilën u përcaktua ndarja e Komisioneve Parlamentare në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Tahiri bëri të ditur se në këtë legjislaturë të Kuvendit, AAK-së do t’i takojë kryesimi i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, të cilin do ta udhëheqë deputeti, Bekë Berisha, si dhe do të ketë nënkryetarin në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku nënkryetare e këtij komisioni do të jetë deputetja, Albena Reshitaj.
Ndërkaq Tahiri tha se në cilësinë e anëtarit në komisionet e tjera parlamentare, AAK do të përfaqësohet në këto komisione:
• Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, deputetja Time Kadrijaj;
• Komisioni për Integrim Evropian, deputetja Time Kadrijaj;
• Komisioni për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe media, Besnik Tahiri
• Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, deputeti Pal Lekaj
• Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, deputetja Albena Reshitaj.
• Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, deputeti Bekë Berisha.
• Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, deputetja Albana Bytyqi;
• Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, deputetja Albana Bytyqi.