Grupi Parlamentar i AAK-së ka mbajtur konferencë për medie ku ka kritikuar Qeverinë për planifikim jo të duhur të buxhetit për vitin 2024, raporton Ekonomia Online. Madje buxhetin e vitit të ardhshëm e quajtën buxhet të interesave partiake e të klaneve të partisë në pushtet.
Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj tha se asnjë amendament i propozuar nga opozita nuk është marrë parasysh, madje janë injoruar edhe agjencionet e ndërmarrjet publike.
“Kjo është Qeveri e injorimit dhe mashtrimit e në interes të klaneve të caktuara dhe nuk përfill asnjë kërkesë buxhetore të nevojshme për zhvillimin ekonomik. Së pari nuk ka përfillur kërkesat e agjenciaoneve të pavarura të institucioneve të ndërmarrjeve publike dhe që kanë ardhur me kauza që do të ndryshojnë pozitivsh”.
“Më beson që këto agjencione më vështirësi po e kalojnë vitin dhe më vështirë po hyjnë në vitin 2024. Ne kemi bë kërkesa që shkonte në favor të qytetarëve asnjë amendament nuk është shqyrtuar dhe i kanë hedhur poshtë. Rritja e koeficientit nuk ka ndodhur. Rritja e pensioneve ka qenë amendament prej 100 në 120 euro edhe kjo kërkesë është injoruar. Po ashtu zbatimi i kontratës kolektive. Ka projektuar buxhet për klanet e veta. Asnjë kërkesë nuk e ka plotësuar”.
Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se në projekt-buxhetin për vitin 2024, në 22 komuna të Kosovës nuk është përfshirë asnjë projekt i ri, raporton EO. Ai theksoi se të gjitha kërkesat e komunave janë injoruar nga Qeveria.
“Ky pushtet e ka kthyer buxhetin e Kosovës në buxhet i cili është në shërbim të Vetëvendosjes. Këtij pushteti i duhet opozita vetëm kur i ngushtohet situata në veri apo kur i duhen votat për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Tahiri.