Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të mërkurën ka takuar përfaqësues të sindikatave në vend me qëllim që të marrë qëndrimet e tyre se i përket Ligjit të Pagave, raporton Ekonomia Online.
Deputetët e kësaj partie, të kryesuar nga Shefi i Grupit, Besnik Tahiri, fillimisht e kanë vizituar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).
Pas takimit Tahiri tha se ka mungesë të madhe të transparencës sa i përket vlerës së koeficientit. Madje sipas tij, në Ligjin për buxhetin për vitin 2023 ky Ligj nuk është planifikuar fare.
Ai ka bërë thirrje që të ndalet lufta ndaj sindikatave.
“Qëllimi i takimit është të dihet qëndrimi i kësaj sindikate që prek ky Ligj dhe të dëgjojmë çështjet kryesore. Ka një mungesë të madhe të transparencës që lidhet me vlerën e koeficientit. Gjendjen e bënë më të keqe që në buxhetin që kemi pranuar nuk ekziston buxhetimi i Ligjit të pagave”.
“AAK kërkon që me urgjencë të përcaktojë dhe buxhetojë Ligjin e pagave. Kjo Qeveri nuk dëshiron që ta fus në zbatimin ligjin e pagave në vitin 2023. Duhet të ndalet lufta ndaj sindikatave. Kjo qasje e dëmton Kosovën dhe cenon të drejtën e zyrtarëve publik”.
“Grupi ynë ka qenë që ka miratuar rezolutë ku deputetët e VV-së kanë votuar që ligji të vijë. Ajo çka po shohim është sa brengosëse është ligji për buxhet. Është dëshpëruese të shihet që në Ligjin për buxhet të mos ekzistojë buxhetimi i ligjit të pagave.
Kurse kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, e ka lutur Tahirin që të jenë zëri i kërkesave të tyre, ngase thotë se ka tendencë që zëri i tyre të shtypet.
Ai tha se pret që në janar Ligji për Pagat të vijë në Kuvend, raporton EO.
“Lus zotëri Besnik të jetë zëri ynë kudo. Në mars kemi dorëzuar versionin por brengë është sepse është mashtrim i radhës që nuk përcaktohet koeficienti. Deputet të jenë zë i sindikatave. Është tendencë të shtypet zëri sindikal”.
“Zonja Nagavci është dashur të na thërras që të shohim çka po bënë me orë të humbura e jo të sjellë vendime. Uroj që Parlamenti të nxisë debatin dhe janari të na sjellë ligjin. Kërkesat janë të njëjta, por zonja Nagavci kishte deklaruar që versioni i SBAShK është më i ulët. Janë të njëjta kërkesa sepse në sektori e arsimit koeficientet lëvizin. Uroj që janari të na gjejë me Ligjin e pagave”.