Daut Haradinaj nuk ka shef politik dhe ai i jep llogari vetëm qytetarëve, kështu tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në tubimit përmbyllës të kësaj partie në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Para të pranishmëve, kreu i AAK-së, tha se një ndër fitoret në jetën e tij, është Ligji për Prishtinën.
Tutje, ai ka folur për punën që i ka kryer sa ishte kryeministër i vendit.
“Një ndër fitores e jetës sime është Ligji për Prishtinën. Kam diskutuar me shuma dhe jam i gëzuar që për vite të tëra, kemi punuar që me ia dhënë ligjit të kryeqytetit, e që i jep buxhet asaj. Mandej është ‘Pallati i Rinisë’, por që ka edhe diçka tjetër që i gëzohem. Në 2017, ku Prishtina ka qenë e mbushur me gjeneratorë, dhe jam i gëzuar që i kemi dhënë Kosovës drita. Na kanë mbetur edhe disa punë në gjysmë, siç është Ligji për Paga, zhvillimi ekonomik dhe besoj se nëse nuk e ngritëm qeverisjen në Prishtinë, atëherë vuajmë edhe si nivel bendi”.
Teksa ka folur për punë që ka kryer si shef i Qeverisë, Haradinaj tha se komunat që i qeverisë AAK-ja nuk pranojnë ndërhyrje nga niveli qendror.
“Aty ku qeverisë AAK është qeverisje që nuk pranojnë ndërhyrje nga qendra. Për atë arsye, Dauti nuk ka shef politik, dhe ai jep llogari vetëm qytetarëve dhe për këtë arsye, ju falënderoj që keni bërë një fushatë e një punë të mirë, dhe duke e parë këtë qytetari do të ju votojë”, tha Haradinaj para të pranishmëve.
E kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, tha se të gjitha lagjet e fshatrat e Prishtinës janë të përfshira në programin e tij.
“Nuk kemi lënë lagje e fshatra që nuk i kemi përfshirë në programin tonë politik. Nëse flasim për problemet e kryeqytetit, nevojitet një jave. Të moshuarit tanë do të kenë barna pa pare, e që dikujt iu duket banale.
“Kemi premtuar dyfishim të çerdheve. Ne i kemi katër ndërrime në arsim sepse mungojnë shkollat, dhe këto nuk duhet të mbesin vetëm premtim por duhet të ndodhin. Kanë tepruar buxhet mbi 50 milionë euro, pra këto mund të bëhen”, tha ai.
“Ju lus që edhe këto 48 orë te flisni me banorë e qytetarë që ta fitojmë këtë garë, e programi jonë është që t’ia kthejmë dinjitetin Prishtinës”, tha Haradinaj.