Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës heqjen për një periudhë pesëmujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare dhe përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, në një konferencë për medie, ka theksuar nevojën për marrjen e masave urgjente nga ana e Qeverisë së Kosovës për shkak të situatës së rënduar ekonomike në vend, si pasojë e inflacionit dhe rritjes enorme të çmimeve .
Lekaj ka thënë se shefi i Qeverisë është në ekskursion, derisa ministrat e dikastereve ekonomike janë “të padukshëm”.
“Kriza tashmë globale, është duke sjellë pasoja të rënda në vend e tek qytetarët. Reagimi i Qeverisë, në këtë kohë krize as që shihet. Kryeministri është ne ekskursion e ministrat e dikasterëve ekonomikë janë të padukshëm”, ka thënë ish-ministri Lekaj.
“Madje për secilin propozim, iniciativë të opozitës, nuk ekziston as minimumi i vullnetit për diskutim, apo gjetje të alternativave të përbashkëta. Pra thjesht, ende janë në logjikën ‘Krejt dhe drejt'”, ka theksuar ai.
Sipas Lekajt, ekonomia e Kosovës është para kolapsit. “Për të ruajtur vitalitetin e zinxhirit ekonomik, na duhen masa urgjente: Masat urgjente duhet të përfshijnë së paku 3 segmente: E para, përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore; E dyta, në përkrahjen qoftë direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik; dhe E treta, të sigurohet furnizimi apo kontratat për produktet bazike dhe kontrolli i tregut”.
Tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, në emër të AAK-së, Lekaj ka propozuar:
– Heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën
– Heqja e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare;
– Përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik;
– Masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike;
– Të sigurohet furnizimi apo kontratat për produktet bazike dhe kontrolli i tregut.
– Qeveria së bashku me odat ekonomike; bizneset të sigurojë furnizim dhe kontrata për furnizim të produkteve elementare;
– Të krijohet një mekanizëm i konsultimit dhe koordinimit me aktorët (qeverisë; ekspertët; prodhuesit; bizneset) në mënyrë që të prodhohen politika dhe veprime për t’ju përgjigjur krizës.
Në vazhdim, Lekaj ka theksuar se kontratat e nënshkruara tek investimet kapitale, janë bllokuar për shkak te rritjes enorme te çmimeve.
“Punëmarrësit para se të ngrihen çmimet kanë nënshkruar kontratat, e tani rrezikojnë seriozisht të mos mund t’i përgjigjen obligimeve për shkak të ngritjes së çmimeve”.
“Tashmë, efektet e krizës janë të mëdha, ndikimi zinxhiror mund të jetë i paparashikueshëm. Andaj kërkoj nga qeveria, pozita, opozita që së bashku t’i tejkalojmë gjitha dallimet, për t’u përballur me krizën”.
“Kriza, e nevojat, nuk njohin qytetarë të pozitës e opozitës, por vetëm qytetarë që vështirë se do t’ja dalin vetëm pa ndihmën e qeverisë, e pa vendimmarrje të përgjegjshme të Kuvendit”.
Në fund, Lekaj ka theksuar se AAK-ja nuk do të heshtë së kërkuari për të realizuar kërkesat e qytetarëve të Republikës.