Në AAK nuk kanë dashur t’i përgjigjen akuzës së Vetëvendosjes që po e cilëson Ramush Haradinaj si tradhtar pasi arriti marrëveshje me LDK-në për ta votuar demarkacionin. Halil Matoshi ka thënë vetëm se kryeministri aktual është një luftëtar i paepur. Nuk ka folur më shumë me arsyetimin se është në rrugë.
Ramush Haradinaj dikur ishte bërë pothuajse truproje e Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt. Sa ishin në opozitë, kryetari i AAK-së përkrahte secilin veprim të Vetëvendosjes. Madje, edhe kur përdornin armë në Kuvendin e Kosovës.
Por, tash, kur AAK është në pozitë e VV në opozitë, kanë nisur të rikthehen akuzat e vjetra.
Partia e Albin Kurtit po e cilëson Ramush Haradinajn si tradhtar pse ky i fundit arriti marrëveshje me LDK-në që ta votojnë demarkacionin, të mërkurën.
Kësaj akuze nuk kanë dashur t’i përgjigjen zyrtarët e AAK-së.
Halil Matoshi, anëtar i AAK-së dhe këshilltar i Ramush Haradinajt, ka dhënë vlerësim të madh për shefin e tij kur është pyetur për akuzën e VV-së. Ka thënë vetëm se kryeministri është luftëtar i paepur.
Pavarësisht se është arritur marrëveshja për demarkacionin, ende nuk janë siguruar të gjitha votat. Duhen edhe disa vota të deputetëve të Vetëvendosjes ose edhe të Listës Sprska.