Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një mbledhje që ka mbajtur të martën, ka diskutuar për situatën politike në vend.
Aleanca ka përsëritur qëndrimin për zbatimin sa më parë të obligimeve të marrura nga ana e Qeverisë së Kosovës në dialog, “si një hap që përshpejton rrugën integruese të Kosovës e veçanërisht perspektivën tonë për anëtarësim në NATO”.
“Nisja e procesit për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duhet të trajtohet si urgjencë. Vetëm si anëtare e saj, Kosova është e sigurtë dhe me një të ardhme për zhvillim dhe stabilitet”, thuhet në një komunikatë, të lëshuar pas takimit.
Gjithashtu, Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e sheh me shqetësim mosveprimin e Qeverisë ndaj kërkesave të minatorëve të Trepçës në ditën e tetë të grevës së tyre.
AAK vlerëson se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime si dhe i kërkon Qeverisë që sa më parë të marrë veprime për plotësimin e kërkesave të minatorëve.