Deputeti Haki Abazi, i cili para pak muajsh e braktisi Vetëvendosjen, tha sot në Kuvendin e Kosovës se Albin Kurti kishte ardhur në pushtet duke ua dhënë besën njerëzve se Zajednica, as me kompetenca ekzekutive as joekzekutive, nuk do të vije në shprehje kurrë në Kosovë dhe tani po e pranon.
Abazi paralajmëroi se Parlamenti, në mos me gaz lotsjellës, do të ballafaqohet me reagim të madh, pasi kundër këtij Asociacioni kanë vdekur njerëz, raporton Ekonomia Online.
Ai kritikoi pushtetin edhe për jotransparencë dhe mosdhënie të llogarisë as në Kuvendin e Kosovës. “Nëse dikush mendon me abortu demokracinë, mendoj se duhet të ballafaqohet me qytetarët. Këtu ka tentim për abortim të demokracisë, ka autokraci dhe tendencë të vendosjes së diktaturës së paku elektronike, por nuk mendoj se ka sukses kjo në qendër të Evropës”.
“Zoti Kurti duhet të vijë këtu, jo për të na sqaruar neve se çka ka ndodhur, por njerëzve të cilët iu ka dhënë besën se Zajednica, as me kompetenca ekzekutive as joekzekutive, nuk do të vije në shprehje kurrë në Kosovë. Ky parlament, në mos me gaz lotsjellës, do të ballafaqohet me reagim të madh, jo për faktin që është pranuar Asociacioni, po për faktin që kundër këtij Asociacioni kanë vdekur njerëz. Është derdhur gjak, Kurti ka ecur mbi atë gjak, kundër këtij Asociacioni është bërë kryeministër, ka ardhur në pushtet”.
“E në momentin që i rrezikohet pozicioni i tij, vjen në Prishtinë me konferenca për media, vjell vrer ndaj partnerëve evropianë. Kjo është punë palaço, vetëm një palaço mund të bëj kështu ndaj elektoratit të tij”.
“Kush i ka lëshuar terroristët e rrethuar në Banjskë. Kush ka marrë vendim që pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku, këta terroristë të lihen të lirë të shkojnë në Serbi, pa asnjë konsekuencë në Kosovë. Mendoj që beteja e Serbisë ndër vite ka qenë kjo, që nëpërmjet betejave të vogla, ta bëj Kosovën vend krize, jostabiliteti. Do të thotë, dështimi i kësaj qeverie që të marrë vendimin e duhur për t’i arrestuar terroristët dhe ata t’i dorëzohen drejtësisë, është jashtëzakonisht i madh për gjithë hallkën në shtetin tonë, por sidomos kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, që me pompozitet tregonin se Banjska është e rrethuar dhe më pas pamë pamjet e këtyre terroristëve duke ecur maleve. Ky dështim është i jashtëzakonisht i madh”, u shpreh ish-zëvendëskryeministri në Qeverinë Kurti 1.