Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Haki Abazi, është deklaruar rreth paralajmërimeve të presidentit Hashim Thaçi, për të ftuar liderët e partive politike për t’u konsultuar në lidhje me formimin e një qeverie të unitetit pas rrëzimit të Kurtit.
“Vullnetin dhe përcaktimin e sovranit nuk mund ta bëjë një president që kërkon një kryeministër servil për ta përfunduar planin e tij. Kjo është vallja e dreqit në mes të rrezikut për arkivolet e COVID-19”, shkruan Abazi në Facebook.
Ai është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje është për zgjedhje të reja, ndërsa deri atëherë do të ketë një qeveri në detyrë.
“Nga këtu shkojmë në zgjedhje sipas kushtetutës, matemi me votë, ndërsa deri atëherë do të kemi një qeveri në detyrë, e cila po kryen me sukses detyrat dhe përgjegjësitë e saj. Për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, përveç që janë prishur hardisq et e lidhura për mikrofonat, po ashtu edhe diktofoni mbi tavolinë nuk ka punuar. Nuk ka engjëj këtu”, përfundon Abazi.