Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje gjatë konferencës për media pas përmbylljes së procesit të votimit, duke thënë se gara zgjedhore nuk ishte e barabartë dhe se pushteti ka përdorur të gjithë mekanizmat në funksion elektoral, raporton Ekonomia Online.
“Natyrisht, dua të them qartë se kjo nuk ishte një garë e barabartë. Përballë kishim një aparat të pushtetit, një propagandë që nuk zgjidhte mjete, një makineri shtetërore po ashtu të vendosur në funksion elektoral dhe një klikë politike të ndërtuar shpesh mbi mashtrim, mbi frikë dhe përçarje”, deklaroi Abdixhiku.
Ai foli edhe për parregullsi gjatë periudhës parazgjedhore, duke kërkuar trajtim serioz nga institucionet përgjegjëse.
“Në anën tjetër, pamë edhe keqpërdorime parazgjedhore, ndërhyrje dhe praktika të blerjes së votës, të cilat nuk i bëjnë nder as demokracisë sonë dhe që duhet të trajtohen me seriozitet maksimal nga institucionet”, tha ai.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja zgjodhi një qasje tjetër gjatë fushatës, duke u fokusuar në program dhe mesazhe pozitive.
“Por, përballë gjithë kësaj, ne zgjodhëm një rrugë tjetër. Ne nuk ndërtuam fushatë me urrejtje siç e kemi parë, nuk ndërtuam fushatë me sharje, nuk ndërtuam fushatë duke u munduar ta shfajësojmë dikë. Përkundrazi, ne ndërtuam një fushatë me djem e me goca, një fushatë shprese, bashkimi dhe vizioni për Kosovën. Dhe sonte qytetarët tanë dhanë përgjigjen më të mirë të mundshme. As propaganda, as presioni, as keqpërdorimi, as frika nuk kryejnë punë”, u shpreh ai.
Kreu i LDK-së tha se rezultati i zgjedhjeve paraqet një refuzim të qartë të mënyrës së deritanishme të qeverisjes.
“Dua të theksoj se sonte pamë një refuzim të qartë të këtij stili të qeverisjes. Humbja e mbi 200 mijë votave nga partia që deri dje ishte në pushtet, është sinjal politik që nuk mund dhe nuk duhet të injorohet. Ky popull po thotë qartë se e refuzon edhe përçarjen, po kërkon kompromis, po kërkon stabilitet institucional, po kërkon zhvillim ekonomik dhe normalitet në jetë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se mesazhi i qytetarëve duhet të dëgjohet me përgjegjësi nga të gjitha partitë politike.
“Shumica shqiptare sot ka një përfaqësim tjetër politik dhe një mesazh tjetër politik, një mesazh që duhet dëgjuar me qetësi, me përgjegjësi dhe maturi”, tha ai.
Abdixhiku paralajmëroi se nga dita e nesërme do të nisë angazhimi për ndërtimin e një platforme politike që, sipas tij, do t’i shërbejë stabilitetit institucional dhe zhvillimit të vendit.
“Prandaj edhe Nisma, që nga nesër, do të angazhohet me seriozitet të plotë në ndërtimin e një platforme politike që i shërben Republikës së Kosovës. Një platformë që siguron stabilitet institucional, një platformë që garanton orientimin e qartë të Republikës së Kosovës drejt botës euroatlantike, një platformë që e vendos Kosovën në rrugën e zhvillimit të vërtetë, të forcimit të shtetit dhe të rikthimit të besimit të qytetarëve”, deklaroi ai.
Ai theksoi se Kosova ka nevojë për bashkëpunim politik dhe stabilitet pas procesit zgjedhor.
“Kosova ka nevojë për stabilitet, ka nevojë për bashkim, ka nevojë për pjekuri politike dhe ne do të sillemi që nga nesër me përgjegjësi për qytetarët tanë, për atë që na kanë amanetuar sot”, shtoi Abdixhiku.
