Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përkujton 22 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.
“Po bëhen 22 vjet nga intervenimi ushtarak i NATO-s mbi caqet Jugosllave; dhe kështu fillimit të fundit të vuajtjeve të popullit të shtypur në Kosovë.
24 marsi i vitit 1999 shënon një momentum të ri për Kosovën e për përpjekjen shekullore për liri. Ky momentum hapi shtegun e lirisë dhe në fund të pavarësisë së vendit. Prandaj, qytetarët e Kosovës i mbesin gjithmonë mirënjohës botës perëndimore, SHBA-së me aleat, që përmes NATO-s dhanë shpresën e pritur kaherë.
Këtë ditë duhet ta kujtojmë sot e përherë. Gjeneratat e ardhshme duhet ta mbajnë 24 marsin si fundament të lirisë së tyre, fundament të shtetësisë sonë.
Mbi dy dekada më pas, përpjekja për të ndërtuar shtetin e Kosovës, shtet të drejtë, të fortë, të dinjitetshëm vazhdon. Sot vajzat e djemtë e Kosovës në uniformë ushtrojnë misione paqëruajtëse nëpër botë; dhe kjo në vete nderon të gjithë burrat e gratë e vendit dhe jashtë, që kanë bërë të mundur që 24 marsi të ndodhë.
Kosova vazhdon të ndërtojë ëndrrën e saj origjinale për anëtarësim të plotë në NATO e në BE-së.