Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, për numrin e lartë të kontratave njëburimore, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për nisjen e iniciativës rreth hetimit të kontratave njëburimore, Abdixhiku ka përgëzuar deputeten Hykmete Bajrami.
Këto kontrata, sipas tij, kanë një emër – “tender sekret”.
“Ajo që po provojmë të bëjmë këtu, dua të përgëzoj deputeten Bajrami që ka nisur këtë iniciativë. Është përshkrimi i një praktike të shpërndarë në gjithë sistemin publik të Kosovës. Kjo praktikë ka një emër, dhe i thonë tender sekret. Tenderët sekret janë shpërndarje e pares së shtetit, prej buxhetit te operatorët, bizneset, pa asnjë procedurë, garë, drejt për së drejti marrëveshjet direkte.” – ka thënë ai.
Sipas tij, edhe derisa po flitej në Kuvend, dikush nga VV-ja ka qenë duke nënshkruar një tender sekret.
“Sot teksa flasim, dikush në VV është duke nënshkru, jo përgatit, një tender sekret. Kjo praktikë po rritet, vitin e parë ishin 30 milionë euro, vitin e dytë u bënë 70, në vitin e tretë 109 milionë euro tender sekretë.” – tha ai.
Tutje, Abdixhiku, tha se “13 herë, një kompani e vetme, është ulur me një përfaqësues të ndërmarrjes publike, e ka marrë tender sekret. Ose në MPB, 15 milionë euro për shërbime të IT-së”.