Abdixhiku: Do ta ndërtojmë unazën e kryeqytetit në vlerë prej 250 milionë eurosh

Prishtinë | 13 Dhj 2024 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Përfundimin e të gjitha rrugëve, autostradave, magjistraleve si dhe ndërtimin e unazës së kryeqytetit në vlerë prej 250 milionë eurove, e ka premtuar kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas tij, puna në infrastrukturë nënkupton dalje në teren, e jo qëndrim në zyrë e fjalë.

“Ne kemi një plan, që brenda 3 viteve të përfundojmë të gjitha rrugët, magjistralet e autostradat, e nisura nëpër dekada në Kosovë. Fjalën e kam për autostradën Prishtinë-Gjilan, për autostradën e Pejës, për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë, e Dollc-Gjakovë. Po ashtu, në planin tonë kemi edhe ndërtimin e unazës së kryeqytetit, një projekt i madh prej 250 milionë eurove, që do ta transformojë rrënjësisht jo vetëm qarkullimin brenda në qytet, por dhe lidhjen e Prishtinës me secilin qytet tjetër të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Unaza e kryeqytetit sipas Abdixhikut nuk bëhet me fondet e komunave, por me ndihmë shtetërore.

“Këtë ndihmë shtetërore qeveritare, pas 9 shkurtit, kryeqyteti do ta ketë”, ka shtuar ai.

Të ngjashme