Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku, në Akademinë Përkujtimore kushtuar veprimtarit Fadil Ferati me rastin e 15 vjetorit të vdekjes së tij, ka thënë se Fadil Ferati, si kryetar i Istogut nuk ishte thjeshtë një udhëheqës lokal, por ishte një burim frymëzimi për të gjithë ata që besonin në lirinë dhe të drejtat e popullit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Lidhja mes Fadilit dhe presidentit Rugova ishte e ngushtë jo vetëm për shkak të angazhimit politik, por edhe për miqësinë që ata dy së bashku e ndajnë. Fadil Ferati si kryetar i Istogut nuk ishte thjeshtë një udhëheqës lokal, por ishte një burim frymëzimi për të gjithë ata që besonin në lirinë dhe të drejtave popullit të Kosovës. Ai ishte i përkushtuar plotësisht ndaj misionit të Rugovës dhe kishte dhënë gjithçka për të realizuar vizioni e tij për një Kosovë të lirë, për një Kosovë të pavarur dhe një Kosovë demokratike. Për Fadilin angazhimi ndaj presidentit Rugova ishte thjesht një detyrëe e shenjtë”, tha ai.
Abdixhiku ka thënë se Ferati bëri punë frymëzuese për Istogun, për LDK-në, si dhe për vetë Republikën e Kosovës.
“Sot në 15 vjetor të kalimit të tij në amshim, të Fadilit tuajt e tonit, ne kujtojmë kontributin e një njeriu të çmuar dhe shprehim falënderimin dhe mirënjohësin tonë të thellë për punë frymëzuese që ai bëri për Istogun, për punën frymëzuese që bëri për LDK, për punën frymëzuese që ai bërë për vetë Republikën e Kosovës”, tha ai
Kryetari i Komunës Ilir Ferati, njëherit djali i kryetarit të ndjerë, ka thënë se Fadili jo i vetëm, por me bashkëpunëtor shtruan rrugën e idealit pa e pasur hiq të lehtë.
“Nga Fadili mësova se politika është shërbim e përgjegjësi, se pushteti nuk është privilegj, por një barrë që duhet mbajtur me ndershmëri e përkushtim. Jam i vetëdijshëm që Fadili jo i vetëm, por me bashkëpunëtor shtruan rrugën e idealit pa e pasur hiq të lehtë. Duke kaluar shumë sfida e duke ruajtur idenë e presidentit Rugova e që tani e kemi amanet, amanetin e Lidhjes që na bashkon. Fryma e atëhershme ka qenë lufta për pavarësi, një frymë që po trashëgohet politikisht nga persona që kanë studiuar e admiruar intelektin e figurës së Rugovës e Fadilit e njerëzve të mëdhenj të LDK-së, njerëz si Lumir Abdixhiku, një person që tash e sa herë e viziton Istogun si mik e mbështes i Komunës”, tha ai.