Abdixhiku: LDK-ja e gatshme ta marrë timonin e Kosovës, kjo qeveri ka bllokuar zhvillimin

Prishtinë | 01 Dhj 2025 | 17:38 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pasi u zgjodh kandidat për kryeministër nga kjo parti, pati kritika ndaj qeverisjes aktuale dhe e vlerësoi situatën politike si “moment kritik” për Kosovën, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se LDK-ja hyn në zgjedhjet e 28 dhjetorit me synimin për të “rikthyer normalitetin institucional dhe orientimin euroatlantik të Kosovës”.

“Nuk jemi mbledhur vetëm për një vendimmarrje partiake, por për përgjegjësinë ndaj vendit, ndaj shtetit, ndaj atdheut,” deklaroi Abdixhiku në hapje të fjalimit.

Kreu i LDK-së akuzoi qeverinë aktuale për keqqeverisje, shkelje të ligjit dhe “bllokim të qëllimtë të vendit” për më shumë se dhjetë muaj.

“Dhjetë muaj me radhë, Republika e Kosovës është mbajtur në bllokadë nga dikush që nuk e kupton demokracinë… një pushtet pa legjitimitet nuk është qeverisje – është uzurpim. Kemi ministra që qëndrojnë në detyrë pa të drejtë; kemi deputetë që mbajnë dy funksione në kundërshtim me Kushtetutë,” tha ai, duke theksuar se kriza është bërë mjeti kryesor i mbijetesës së pushtetit.

Kreu i LDK-së e paraqiti partinë si alternativën e vetme të përgjegjshme në skenën aktuale politike.

“E prandaj, në këtë moment, nga kjo sallë, duhet të dalë një mesazh i qartë për çdo qytetar të Kosovës: LDK është gati. Gati të marrë timonin e vendit. Gati të japë qeverisje të dinjitetshme. Gati të zhbëjë dëmet e bëra. Gati të sjellë standard evropian të punës. Gati të rikthejë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike. Gati të rifitojë besimin e qytetarëve dhe respektin e aleatëve”, theksoi Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK nuk do të bëjë kompromis me popullizmin.
“Kur themi ‘jo me ta’, mbetet ‘jo me ta’. Nuk ka ofertë, pozitë apo privilegj që e ndryshon besatimin tonë ndaj qytetarëve.”

Ai i bëri thirrje drejtuar mërgatës kosovare që të kthehet në vend për zgjedhjet.

“Me 28 dhjetor, ejani masivisht. Ejani jo vetëm për festat e fundvitit, por për ta vendosur drejtimin e Kosovës,” u shpreh Abdixhiku.

Abdixhiku prezantoi tri shtyllat kryesore mbi të cilat, sipas tij, LDK do të ndërtojë qeverisjen e re.

“Rikthimi i stabilitetit institucional. Kosova nuk mund të ecë përpara me kriza të përhershme e me uzurpim institucionesh. Është koha ta rikthejmë rendin demokratik. Kthimi në rrugën euroatlantike. Stagnimi euroatlantik i Kosovës është rreziku më i madh kombëtar. Kthimi te SHBA-ja dhe BE-ja nuk është opsion – është detyrim. Zhvillimi ekonomik dhe rritja e standardit të jetesës”, theksoi ai.

Abdixhiku falënderoi Kryesinë e LDK-së për nominimin e tij si kandidat për kryeministër.

“Ky aprovim, para se të jetë privilegj, është përgjegjësi e madhe që më bie mbi supe. Dhe për të cilën jam gati. Jam i gatshëm t’ju prij. Jam i gatshëm të ecim bashkë. Jam i gatshëm ta mbaj peshën e kësaj detyre – në emër të vendit tim. Shpresoj që Zoti më jep forcë, dije e maturi, të ju prijë në këtë garë me dinjitet. Ejani të gjithë së bashku ta bëjmë këtë betejë. Ejani me unitetin tonë të brendshëm. Ejani me besimin tonë të përbashkët. Ejani me idealin tonë rugovian, të maturisë dhe të shtetformimit. Ejani me bindjen se Kosova mund të ngrihet, mund të zhvillohet dhe mund të ecë drejt Perëndimit me dinjitet”, tha ai.

Të ngjashme