Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në kohën kur mori pozitën e kreut të partisë, LDK-në e ka gjetur në gjendje jashtëzakonisht të vështirë.
Në një intervistë për Gazetën Express, Abdixhiku ka deklaruar se në gjysmën e komunave, LDK ishte në prag të shuarjes.
“Kam marrë udhëheqjen e LDK-së në një gjetje jashtëzakonisht të vështirë, në vetëm 12%. Kam gjetur LDK-në në gjysmën e komunave të Kosovës në prag të shuarjes; me numra që gravitonin në 5, 6 e 7%. E merrni dot me mend? Për një parti shtetformuese, të parën në Kosovë, të kesh gjysmën e vendin në prag të shuarjes është sa tragjike aq edhe fatkeqe për të nisur një punë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka deklaruar se gjatë vizitave nëpër degë të partisë, ka gjetur tendencën për ta normalizuar humbjen.
“Dhe jo vetëm kaq. Gjatë vizitave e takimeve të para të mija, kam gjetur një tendencë për të normalizuar humbjen. Sikurse vendi i tretë e i katërt, e përqindjet njëshifrore në disa degë, ishin gjë normale tashmë. Aq normale sa që brenga e vetme e strukturave të mbetura ishte zgjedhja e dilemave për koalicone me të parin e të dytin – por asnjëherë për të parë veten të parin, e fatkeqësisht as të dytin. Kështu, LDK-në, nuk mund as unë e asnjë veprimtar i devotshëm ta pranojë. Vendi origjinal i LDK-së është i pari. Mund të merr kohë ky objektiv – dhe natyrisht se do të marrë kohë – por nën të s’mund të synojmë”, ka deklaruar krei i LDK-së.
Abdixhiku fajëson udhëheqjen e vjetër të LDK-së për rënien e partisë. Thotë se e normalizuan humbjen, dëshiruan akomodimin në pozita qeveritare, ani pse s’kishin përkrahje të popullit.
“Prandaj të gjithë kritikët e izoluar të brendshëm e skeptikët e përhershëm të jashtëm, që kërkojnë vazhdimësi të politikëbërjes së LDK-së; të njëjtës politikë që na solli në 12% e në prag të shuarjes në gjysmën e Kosovës, kanë huqur me të madhe zërin e LDK-së në Kuvendin e fundit. Të njëjtit që kanë huqur paraprakisht zërin me qytetarë; që kanë mundësuar krijimin e një pushteti absolut me 50 plus për qind; të njëjtit që për synim të vetëm kanë patur akomodimin në ndonjë pozitë qeveritare e pushtetare ani pse me mbështetje minimale qytetare; të njëjtit që sot e kësaj dite s’mbajnë asnjë përgjegjësi por ligjërojnë se si duhet bërë opozitë – duhet ta kuptojnë se koha e një politike të tillë ka marrë fund. S’jam këtu për të akomoduar të shkuarën; se kush ka patur të drejtë e kush jo. Jam për të ndërtuar të ardhmen. Nga një pozicion i vështirë; shumë i vështirë. Kush s’është i gatshëm të ndihmojë realizimin e këtij vizioni është mirë të mos pengojë – jo që kanë potencial për të penguar ashtu kështu”, ka deklaruar Abdixhiku.