Abdixhiku: Kemi nevojë për një politikë që bashkon, e ardhmja s’u përket atyre që përçajnë

Prishtinë | 10 Maj 2026 | 19:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, në tubimin e Bashkimit, u zotua për zhvillim ekonomik, demokraci dhe përfaqësim dinjitoz diplomatik, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se Kosova nuk do të zhvillohet përderisa ambicia politike mbetet te lëmosha dhe blerja e votës me skema elektorale, në vend të investimeve kapitale që, sipas tij, përcaktojnë epokën.

“Kosova jonë nuk do të zhvillohet asnjëherë përderisa nuk e kuptojmë se në thelb të politikës është aftësia për të bërë kompromis, e jo për të përfunduar me mburrje me ushtrues detyre. Demokracia është vlerë, kriza është kokëfortësi”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, ky bashkim duhet të jetë më shumë se një ngjarje dhe të shndërrohet në një zotim. Zotim se do ta kthejnë seriozitetin në politikë, dinjitetin në institucione dhe shpresën tek qytetarët e Republikës së Kosovës.

“E ardhmja nuk i takon atyre që ndajnë, përçajnë, propagandojnë, e mashtrojnë”, ka deklaruar i pari i LDK-së, njëherësh kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku, gjatë Tubimit të Bashkimit. Sipas tij, Kosova ka nevojë për një politikë që bashkon.

“Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim politik që ndërprenë pangopësinë politike populliste. Kosova ka nevojë për Lidhjen Demokratike”, deklaroi Abdixhiku.

Të ngjashme