Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë presidentin e ri.
Ai ka thënë se pushteti me 51% ka kërkuar nënshtrim.
“Ne zgjodhëm Republikën. Kërkuan konsensus. Ua dhamë. U takuam. Kërkuan emra. Thamë Vjosën. E injoruan. Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim. Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin.”, ka shkruar ai.
Ai ka përmendur edhe Osmanin.
“Vjosën, Presidenten e deritashme, e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për Presidenten e tyre “karate”. Ne e pamë ndryshe. E pamë siç duhet të ishte edhe me votat e tyre, një Presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës. Ky është dallimi i madh mes nesh.”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së, ka thënë se këtë dallim do ta vulosë dhe do ta zgjedhë vetë populli i Kosovës.
“Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike. Do ta kemi! ”, ka shkruar ai.