Abdixhiku: Kurti po dëshiron të viktimizohet, le të dorëhiqet

Prishtinë | 21 Mar 2024 | 22:09 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sonte se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje dhe ironizoi duke thënë se meqenëse opozita s’i ka numrat për ta çuar vendin në zgjedhje, mund ta ndihmojnë opozitën.

Kësaj deklarate iu përgjigj kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku tha se nëse Kurti është dorëzuar le të japë dorëheqje, duke shtuar se LDK është e gatshme për zgjedhje që nga sonte.

“Le ta jap qartë, zëshëm, nëse është dorëzu e duket se është dorëzu le të jap dorëheqje. Pra nëse është dorëzu le të jap dorëheqje. Por le të ja shpjegoj popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve.

“Nëse është dorëzu, le të japë dorëheqje. Po kërkon zgjedhje, që të bëhet viktimë të thotë më rrëzuan. Le të japë dorëheqje”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së në emisionin Pressing në T7, ka thënë se një kryeministër që i ka 51 % dhe miliarda euro buxhet, vetëm ankohet dhe nuk punon asgjë.

“Është qyqar, është i paaftë në vendime. Një njeri që i ka 51 %, i ka 12 miliardë euro dhe nuk është në gjendje ta bëjë një shenjë të vetme dhe prapë ankohet e bënë viktimën, është rast për marre për besë”, ka thënë Abdixhiku.

Të ngjashme