Abdixhiku në Lipjan: Familjet po punojnë më shumë e po jetojnë më vështirë

Prishtinë | 25 Dhj 2025 | 18:59 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim elektoral në Lipjan, ku ka vlerësuar qytetarët si njerëz të punës, durimit dhe dinjitetit, duke theksuar se komuna ka kërkuar gjithmonë drejtësi, zhvillim dhe respekt, raporton Ekonomia Online.

Ai kritikoi qeverisjen e katër viteve të fundit, duke thënë se Kosova ka humbur kohë, besim ndërkombëtar dhe stabilitet institucional, ndërsa qytetarët po përballen me rritje të çmimeve, paga të pamjaftueshme dhe pasiguri ekonomike.

“Të flasësh në Lipjan do të thotë të flasësh me njerëz të punës, të durimit dhe të dinjitetit. Me njerëz që nuk janë mësuar të ankohen, por të përballen. Me familje që e kanë ndërtuar jetën me djersë, me sakrificë dhe me besim se ky vend meriton më shumë. Lipjani nuk ka kërkuar kurrë privilegje, ka kërkuar vetëm drejtësi, zhvillim dhe respekt. Dhe pikërisht për këtë arsye, sot jemi këtu, sepse ky vend ka nevojë për një politikë që flet pak e punon shumë, për një shtet që mban fjalën dhe për një qeveri që nuk i harron komunat sapo mbyllen fushatat. Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë gjithmonë shtëpia politike e njerëzve të matur, e atyre që besojnë se ndryshimi i vërtetë nuk vjen me zhurmë, por me vizion dhe përgjegjësi. LDK është forca që e ka ndërtuar shtetin, e ka mbrojtur demokracinë dhe e ka orientuar Kosovën drejt Perëndimit. Sot, në këtë moment historik, LDK është sërish shpresa reale për Kosovën. Jo sepse e themi ne, por sepse katër vitet e fundit treguan qartë se pa LDK-në, shteti mbetet pa busull. Sot, gjendja në Kosovë është më e rëndë se sa propaganda që e mbulon atë. Familjet po e ndjejnë çdo ditë rritjen e çmimeve. Kostoja e jetesës është rritur, ndërsa të ardhurat kanë mbetur prapa. Prindërit punojnë më shumë dhe sigurojnë më pak. Pensionistët jetojnë me frikën e muajit të ardhshëm. Të rinjtë po largohen, jo sepse nuk e duan vendin, por sepse nuk shohin perspektivë. Në vend të unitetit kemi përçarje. Në vend të dialogut kemi arrogancë. Në vend të shtetit funksional kemi krizë institucionale”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku veçoi vështirësitë e familjeve, pensionistëve, të rinjve dhe bizneseve të vogla, duke theksuar se shumë të rinj po largohen për mungesë perspektive.

“Katër vite me radhë, Kosova humbi kohë të çmuar. Humbëm aleatë, humbëm besim ndërkombëtar, humbëm stabilitet institucional. Institucionet u bllokuan, ligjet u shkelën, Kushtetuta u relativizua. Ekonomia u la në mëshirë të rastit, bizneset u goditën nga presioni dhe pasiguria, ndërsa projektet zhvillimore mbetën në letra. Këto nuk janë gabime teknike, këto janë zgjedhje politike të gabuara. Dhe pasojat e tyre po i paguan sot qytetari i thjeshtë, familja në Lipjan, fermeri, punëtori, i riu që po mendon të ikë. Katër vitet e fundit e kanë rënduar jetën e secilit qytetar, por jo njësoj për të gjithë. Familjet sot po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve. Ushqimi është më i shtrenjtë, energjia më e shtrenjtë, shpenzimet mujore më të larta. Paga nuk mjafton më deri në fund të muajit. Prindërit punojnë dyfish, por ndihen sikur ecin në vend. Çdo vendim familjar sot matet me frikë: a do të mjaftojnë paratë, a do të përballohet muaji, a do të ketë siguri nesër. Pensionistët janë ndoshta kategoria më e goditur. Pas një jete pune, sot jetojnë me pensione që nuk mbulojnë as nevojat bazë. Çmimet janë rritur, por pensioni ka mbetur i njëjtë. Shumë prej tyre varen nga ndihma e fëmijëve, shumë të tjerë jetojnë me shqetësim të përditshëm. Kjo nuk është pleqëri me dinjitet. Kjo është padrejtësi sociale. Të rinjtë e Lipjanit janë plot energji, dije dhe ambicie. Por sot, përballë tyre nuk qëndron shteti që i mbështet, por pasiguria. Diploma nuk garanton punë. Mundësitë janë të pakta. Shumë të rinj po largohen, jo sepse nuk e duan Kosovën, por sepse ndihen të braktisur nga ajo. Dhe çdo i ri që largohet është humbje për Lipjanin dhe për vendin”, theksoi ai.

Sipas tij, LDK paraqet një alternativë me vizion, program të zbatueshëm dhe ndjeshmëri sociale, duke e vendosur familjen në qendër të politikave shtetërore si themel i zhvillimit dhe stabilitetit të Kosovës.

“Punëtorët e sektorit publik dhe privat po e ndjejnë peshën e padrejtësisë. Puna e tyre nuk po vlerësohet sa duhet. Paga është e ulët krahasuar me koston e jetesës. Inflacioni ua ka ngrënë të ardhurat. Ndërkohë, shteti shpesh sillet si barrë, jo si partner. Edhe bizneset e vogla në Lipjan po përballen me vështirësi. Pasiguria institucionale, mungesa e mbështetjes dhe presioni i vazhdueshëm i kanë bërë më të vështira investimet dhe zgjerimin. Kur biznesi vuan, vuan edhe punësimi, vuan edhe ekonomia lokale. Kjo është gjendja reale e Kosovës sot. Dhe kjo gjendje nuk ka ardhur rastësisht. Është rezultat i katër viteve pa vizion, pa plan dhe pa ndjeshmëri sociale. Prandaj, premtimet tona nuk janë numra të hedhur në ajër. Ato janë përgjigje direkte ndaj këtyre vështirësive. LDK ka kuadro. Ka profesionistë. Ka njerëz që dinë të qeverisin. Por mbi të gjitha, LDK ka program. Një program të detajuar, të përgjegjshëm dhe të zbatueshëm. Një program që nuk flet në përgjithësi, por me numra. Që nuk premton gjithçka, por premton atë që mund të realizohet. Një program që e sheh Kosovën si shtet, jo si skenë propagande. Por para se të flasim për numra, për masa konkrete dhe për premtime të numëruara, duhet të ndalemi te një koncept që për ne nuk është statistikë, por themel i shtetit: familja. Për LDK-në, familja nuk është thjesht një kategori sociale. Familja është pasuria më e madhe kombëtare që ka Kosova. Është vendi ku lind jeta, ku formohet karakteri, ku ruhet gjuha, tradita, morali dhe ndjenja e përkatësisë. Pa familje të fortë, nuk ka shtet të fortë. Pa familje të qëndrueshme, nuk ka zhvillim afatgjatë”, shtoi kandidati për kryeministër.

Të ngjashme