Abdixhiku në Malishevë: Keni pasë reduktime të energjisë elektrike, se Qeveria nuk e ka bërë zgjerimin e rrjetit

Prishtinë | 31 Maj 2026 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Kandidati pë kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mbajtur fjalim në një tubim elektoral në Malishevë, ku premtoi zgjidhje të problemeve me energji elektrike në këtë komunë, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku tha se Qeveria në detyrë përkundër që ka pasur 20 miliardë euro buxhet, nuk ka arritur të bëjë zgjerimin e rrjetit elektrik në këtë komunë.

“E para, jeni e vetmja komunë në Kosovë që keni pasur reduktime të energjisë elektrike në vazhdimësi dhe kjo për faj e një qeverie që përkundër se i ka pasur 20 miliardë euro, 20 miliardë euro buxhet për gjashtë vjet e 51%, nuk ka arritur të bëjë zgjerimin e rrjetit në Malishevë. Prandaj më lejoni të zotohem që në javët e para, me ekipin tonë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të përkushtohemi që kjo çështje të marrë fund një herë e përgjithmonë për Malishevën tonë. Sepse s’mund të ketë Malishevë pa energji elektrike si detyrim bazik i shtetit ndaj njerëzve të vet. Dhe atëherë kur keni pasur energji elektrike, në ato pak orë, ju ka ardhur me çmime të rritura, me fatura të fryra, tre vite rresht”, tha Abdixhiku.

Ai tha se në planin 100 pikësh të LDK-së ka zotime që do t’i ulin çmimet dhe do ta ulin TVSh-në për produktet bazë të ushqimit.

“Dhe po kështu, në këtë moment LDK-ja në planin 100 pikësh ka një zotim shumë të thjeshtë, bukur fisnik, ballëhapur e ballëfaqe përpara popullit të Kosovës: çmimet e energjisë elektrike nuk kanë me guxuar me u rritë për as edhe një cent në katër vitet e qeverisë sonë. Por jo vetëm kaq. Ne kemi zotime për uljen e çmimeve të produkteve bazike, meqenëse si të djathtë që jemi, po sigurisht si mbrojtës të familjes, të vlerave kryesore të familjes kosovare, duhet të qëndrojmë me ta, me familjet tona. Nuk mund të shikojmë teksa çmimet rriten e ne observojmë e mbajmë ligjërata se kështu po marrim vota nga populli i Kosovës. Jo, duhet ta heqim TVSH-në në produkte bazike, në miell, vaj, bukë, sheqer e kripë e gjëra elementare të shportës së konsumatorit, sepse çmimet janë rritur, janë bërë të papërballueshme për familjet kosovare. S’mund të shikojmë nga larg e të vazhdojmë teksa familjet tona përballen me inflacionin më të madh në historinë e Republikës së Kosovës. Po përveç çmimeve që duhet t’i ulim, duhet të flasim dhe për rritjen e pagave”, tha Abdixhiku.

Të ngjashme