Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka premtuar ulje të kostos së jetesës, rritje pagash e pensionesh, si dhe investime miliardëshe në infrastrukturë, raporton Ekonomia Online.
Në një tubim zgjedhor në Pejë, Abdixhiku tha se LDK-ja do ta heqë TVSH-në për produktet bazike dhe do të vendosë moratorium për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për katër vitet e ardhshme.
“Ne LDK do ta ulim menjëherë barrën e kostos së jetesës. Do ta heqim TVSH-në për të gjitha produktet bazike: për bukën, për qumështin, për vajin, për miellin, për vezët dhe produktet esenciale të secilës familje kosovare, sepse buka e familjes kosovare nuk është luks. Shporta bazike nuk mund të jetë barrë me të cilën ndërtohet propaganda e qeverisë. Po ashtu, do të vendosim moratorium të plotë për çmimin e energjisë elektrike. Nuk ka me pasë rritje të çmimit të faturave të rrymës për katër vitet e ardhshme me qeverisjen e Lidhjes Demokratike”, tha ai.
Abdixhiku premtoi edhe rritje të pagave në sektorin publik dhe dyfishim të pensioneve.
“Por qytetarëve tanë nuk u duhen vetëm çmime më të ulëta, u duhen paga më të larta. Prandaj, do ta bëjmë koeficientin 150 menjëherë për rreth 80,000 të punësuar në sektorin publik. Mësuesi do ta ketë pagën 1000 euro, polici, ushtari, zjarrfikësi e infermieri do t’i kenë pagat nga 900 euro. Dhe po, do t’i dyfishojmë të gjitha pensionet në Republikën e Kosovës. Nuk do të ketë më pension më të ulët sesa 300 euro në muaj.Por një shtet nuk bëhet vetëm me paga më të mira, një shtet bëhet me familje të forta. E Kosova sot po përballet me një sfidë që nuk shihet gjithmonë në debatet televizive, por dihet në secilën shtëpi, lagje, fshat e qytet: po na ikin njerëzit, çiftet e reja po e shtyjnë martesën, familjet po jetojnë med pasiguri për të nesërmen, dhe kjo nuk është më vetëm një numër, një statistikë, kjo është çështje kombëtare, është urgjencë kombëtare”, tha ai.
Ai premtoi investime prej rreth 5 miliardë eurosh në infrastrukturë, duke përmendur edhe projektet për rajonin e Dukagjinit.
“Rrugën e Rugovës do ta mbështesim si prioritet nacional i Qeverisë së Republikës së KosovësKëtë autostradë, ndër magjistrale të qendruar do ta përfundojmë e Dukagjinit do t’i japim autostradën e vërtetë të Dukagjinit”, tha ai.

