Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së Rugovës, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugovës.
“E nderuara familje Rugova, me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, ish-kryetarit të komunës së Istogut e të më të dashurit tuaj, Haki Rugova.
Abdixhiku tha se Haki Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës. Ai gjatë gjithë jetës u angazhua pandalshëm në proceset e vështira nëpër të cilat kaloi Kosova. Për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike dhe do të mbetet model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues.
“Haki Rugova u nda fizikisht nga ne, por vepra e tij do të kujtohet përjetësisht. Ndarja nga jeta e tij lë një zbrastirë të madhe jo vetëm për familjen, po edhe për gjithë qytetarët e Istogut dhe gjithë Kosovës, ndërsa LDK-ja humbi veprimtarin e madh të saj. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës u shpreh ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Istogut dhe të Kosovës. Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet në telegram.
Haki Rugova vdiq sot në moshën 65 vjeçare.