Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një tubim elektoral në Obiliq, ku prezantoi kandidatin e partisë për kryetar të komunës, Xhafer Gashin, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e quajti Obiliqin “zemrën energjetike të Kosovës”, duke vlerësuar sakrificën dhe kontributin e qytetarëve të kësaj komune për zhvillimin e vendit.
“Është një emocion i madh të jem sonte mes jush, në këtë qytet të madh, në këtë vatër të rëndësishme të Kosovës, në këtë qendër që është zemra energjetike e Republikës sonë. Obiliqi nuk është një qytet i zakonshëm në hartën e Kosovës. Obiliqi është zemra që rrah për të gjithë vendin, është motori që e mban në lëvizje gjithë ekonominë tonë, është simbol i sakrificës dhe i qëndresës së qytetarëve tanë. Ky është qyteti që ka përballuar më shumë se kushdo tjetër. Ky është qyteti që ka bartur mbi supe barrën e rëndë të zhvillimit të Kosovës. Ky është qyteti që ka paguar çmimin më të lartë për energjinë e vendit. Qyteti që ka përjetuar ndotjen, vështirësitë, sfidat, por që nuk është dorëzuar kurrë. Obiliqi është qyteti i njerëzve që kanë ditur të sakrifikojnë, të durojnë e të punojnë. Është qyteti i njerëzve që nuk kanë hequr dorë nga shpresa, që nuk janë lodhur nga pritja, që nuk janë dorëzuar përballë vështirësive” , ka deklaruar Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se Obiliqi meriton kujdes dhe investime më të mëdha, pasi ka dhënë shumë për Kosovën.
“Për këtë arsye, Obiliqi meriton një njeri të madh, një udhëheqës shembull, një kryetar kampion, sic e keni tashmë; Obiliqi e meriton njeriun tuaj, njeriun tonë, Kryetarin e tashëm dhe të ardhshëm Xhafer Gashin.
Me Xhafer Gashin në krye, Obiliqi ka parë një transformim të madh. Ka parë një qeverisje që ka qenë pranë qytetarëve, një lidership që ka ditur të marrë vendime, një kryetar që ka punuar çdo ditë për qytetin.
Me Xhafer Gashin në krye, janë realizuar projekte konkrete. Janë ndërtuar e rinovuar rrugë, janë hapur sheshe e parqe, janë ndërtuar hapësira publike për qytetarët. Janë rinovuar shkolla, janë përmirësuar kushte për nxënës e mësues, janë hapur klasa të reja dhe çerdhe për fëmijët. Janë bërë investime në shëndetësi, janë përkrahur mjekët dhe pacientët. Janë mbështetur bujqit, është përkujdesur për fshatrat dhe periferinë, njësoj si për qytetin.
Xhafer Gashi është kryetar i punës, kryetar i ndershmërisë, kryetar i rezultateve. Ai nuk është njeri i fjalëve të thata, ai nuk është njeri i propagandës. Ai është njeri i punës, i besës dhe i përgjegjësisë. Ai është kryetar që ka ditur ta mbajë fjalën, ta mbajë besimin e qytetarëve dhe ta çojë përpara qytetin.
Prandaj, miq të dashur, është detyra jonë e madhe sot të sigurojmë vazhdimësinë. Është detyra jonë që të mos e ndalim këtë ritëm, që të mos e kthejmë Obiliqin prapa, që të mos e humbim këtë shans. Sepse Obiliqi është në rrugën e drejtë. Obiliqi është duke u zhvilluar. Obiliqi është duke u ngritur. Dhe ky ritëm nuk duhet të ndalet. Në këtë fushatë do të dëgjoni shumë fjalë. Do të dëgjoni shumë premtime të thata nga eksperimente që smund të mbajnë as shtëpinë e vet. Do të dëgjoni shumë propagandë nga ata që kujtohen për qytetin vetëm kur afrohen zgjedhjet. Por unë tahsmë jam shumë i bindur, se Obiliqi e ka krejt të qartë. Të qartë madje që në raundin e parë. Fitore për Xhafen, fitore për LDK-në; me të parën! Sepse ju e dini mirë kush ka punuar dhe kush jo. Ju e dini kush ka qenë këtu çdo ditë për ju dhe kush është kujtuar vetëm për votë. Ju e dini kush është kryetar i punës dhe kush është kandidat i fjalëve”, ka theksuar ai.
