Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kritikuar Qeverinë për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i LDK-së ka thënë se Kryeministri Kurti “nuk mund të jetojë pa krizë, prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit”.
“Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, kryetari i LDK-së ka thënë se kryeministri i vendit sot tregoi dhëmbët, me shtresën më të goditur nga krize, me mësimdhënësit.
Ai është zotuar se pagat e muajit shtator për mësimdhënësit, herët a vonë do të merren.
“Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së.
Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat”, ka shkruar Abdixhiku.
Postimi i plotë:
Në vend të qetësimit e përafrimit, Albin Kurti kërkon tension. Ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit. Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël.
Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza.
Mashtrimi popullist s’duket ndryshe. Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave.
Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së.
Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat.