Abdixhiku para takimit me Kurtin: Nuk ka asnjë arsye të vonohet konstituimi i Kuvendit

Prishtinë | 07 Gus 2026 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye për të shtyrë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë pa vonesa, raporton Ekonomia Online.

Para takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku tha se fokusi mbetet te përmbushja e obligimeve kushtetuese.

“Do të vazhdojmë me punët tona që duhet të bëjmë që të konstituohet Kuvendi. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit. Po më lejoni të shkoj në takim, e pas takimit do të deklarohem”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët se çfarë nënkupton kërkesa e LDK-së, Abdixhiku u përgjigj shkurt se ajo lidhet “…për konstituimin e Kuvendit”.

Në pyetjen nëse pret një marrëveshje gjatë ditës apo thirrjen e seancës konstitutive, kreu i LDK-së theksoi se seanca duhet të mbahet pa vonesë.

“Duhet të ketë seancë konstitutive. Duhet të ketë seancë konstitutive. Nuk ka nevojë të vonohet me konstituimin e Kuvendit. Duhet të votohet kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit. LDK-ja as ka kërkuar, as kërkon që të bëhet ose të ketë vonesa të tilla”, deklaroi ai.

Abdixhiku shtoi se përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit bie edhe mbi partinë e parë, duke lënë të kuptohet se çdo vonesë eventuale nuk duhet të përdoret për qëllime negociuese.

“Por tani, kjo është përgjegjësi edhe e partisë së parë, e cila qëllon që ka më të vjetrin në seancë aty, të ulur në karrigen e kryesuesit të Kuvendit. Por në qoftë se është bërë për taktikë negociuese, le ta themi shumë qartë: LDK-ja nuk nënshtrohet e Republika nuk dorëzohet. Prandaj, as nuk nënshtrohemi, as nuk dorëzohemi”, u shpreh ai.

Abdixhiku tha se pas takimit do të dalë sërish para mediave.

“Tani po shkoj në takim, e pas takimit do të përpiqemi sa më mirë të përfaqësojmë interesat e Kosovës, popullit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas takimit deklarohemi edhe para medieve në Kuvendin e Kosovës”, tha Abdixhiku.

Të ngjashme