Abdixhiku: Për fajin e Kurtit, bandat në veri po funksionojnë – me aleatët u prishëm

Prishtinë | 02 Qer 2023 | 11:58 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se me fajin e kryeministrit Albin Kurti, bandat në veri po operojnë dhe raportet me aleatët ndërkombëtar janë prishur, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku deklaroi se reagimet e sekretarit Blinken e faktorëve tjerë ndërkombëtarë, janë si pasojë siç tha të keqveprime të një kryeministrit.

“Në një situatë të pamenduar më parë, Kosova vazhdon të sulmohet nga bandat ndërsa kryeministri vazhdon të Kosova po përballet me presion dhe pa mundur t’i ushtrojë detyrat e tyre kushtetuese. Këto reagime të sekretarit Blinken kundër shtetit tonë, janë si pasojë e keq veprimeve të një njeri që e mban postin e kryeministrit”.

“Ky njëri ka proklamuar se është i formuar nga të njëjtit njerëz, që sot i ka kundër. Nga kjo përballje me bizën demokratike vendi ynë ka gjasa të mbes pa aleatë dhe këtë po e bën kryeministri jonë”.

Fjalimi i plotë:

Zonja e zotërinj,

Sot, bëhen një javë nga sulmi jo i paprecedentë, dhe gjithsesi jo i rrallë, i bandave kriminale në veri të cilat kryeministri po i njeh me emër dhe mbiemër por janë në veri, të pa arrestuar, po i njeh dhe po na ligjëron për to, por janë të lirë; kundrejt institucioneve të Republikës së Kosovës, përkatësisht zyrave të Kryetarëve të Komunave në veri; kryetarë të zgjedhur në një proces demokratik, të njohur brenda e të njohur ndërkombëtarisht.

Sulmi i nisur ndaj Policisë së Kosovës nga bandat që kryeministri i njeh, por s’i arreston ndaj gazetarëve shqiptarë raportues atje, u shndërrua shpejtë në sulm ndaj ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it; si shenjë se bandat kriminale të cilat kryeministri ua njeh emër mbiemër e adresë, me armatim, por ende janë të lirë, se këto banda qëndronin edhe kundër demokracisë, edhe kundër raportimit të lirë, por edhe kundër vlerave euroatlantike të shpërfaqura nëpërmjet ushtarëve të NATO-s në terren.

Në një përballje të tillë, palët ishin të ndara dhe të qarta. Në njërën anë qëndronin institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe ushtarët e NATO-s, në anën tjetër bandat kriminale të sponsorizuara nga aparati shtetëror i Serbisë, banda që pra kryeministri i njeh me emër e mbiemër, por i lë të lirë, dhe na ligjëron në Kuvend.

Një javë më pas nga këto ngjarje, anët e shpërfaqura kanë ndryshuar substancialisht. Në një situatë të pamenduar më parë, të paprecedentë dhe gjithsesi të rrallë, Kosova vazhdon të jetë nën sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale, e Kryeministri i Kosovës është në sulm fatkeq ndaj miqve e aleatëve tanë ndërkombëtar. Kjo është gjendja sot. Si rrjedhojë, Kosova ka përfunduar e përballur me tension e paaftësi për të ushtruar detyrat bazike kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në veri, por ka përfunduar edhe me dënim, sanksione e penalizim ndërkombëtar, në përmasa të papara ndonjëherë më parë.

Këto reagime, të Sekretarit Blinken, pra vet Departamentit Amerikan të Shtetit, të Bashkimit Evropian, të NATO-s e shteteve më mike të Kosovës, kundër vendit tonë, shtetit tonë, kundër Republikës së Kosovës, popullit tonë, në një kauzë tonë të drejtë, janë si pasojë e keq veprimeve diplomatike dhe strategjike të një njeriut të vetëm; atij që mban sot pozitën e Kryeministrit të vendit. Kryeministrit të njëjtë, i cili para pak kohësh ka pranuar publikisht se është informuar po nga këta miq, mbi gjërat të cilat vet nuk i dinte si kryeministër. Të njëjtit njerëz, të njëjtit aleat, sot janë naiv.

Dhe në këtë përballje, publike, të qartë dhe të hapur, të Kosovës me gjithë botën demokratike, me aleatët historik të Kosovës, përballja jonë me bandat kriminale në veri, përballja jonë me vet Serbinë, mbetet në rend të dytë. Sepse pa të parët, jo vetëm pa aleat, por me aleat qartazi kundër nesh, vendi ynë nuk ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin, as stabilitetin. Vendi ynë ka gjasë të humbas edhe aleatët edhe sovranitetin; dhe në këtë rrugë po na dërgon Albin Kurti sot; edhe pa aleatë edhe pa sovranitet.

Në një përballje të tillë, fitues na dalin vetëm ushqyesit popullist; ata që në gjithë historinë patriotike të Kosovës, kanë qëndruar gjithmonë në anën e gabuar të saj. Ata që në gjithë ekzaltimin e zhurmshëm publik, nuk arrijnë të shohin për pasojat e ardhme për Republikën e Kosovës.

Dhe sot nuk dua tu flas atyre. Popullizmi ndoshta dhe sjell duartrokitje si kjo sot, dhe ligjërata të tilla për gjëra që s’pajtohemi të gjithë dhe sjell vota, por sot LDK nuk ka brengën e votave. Sot, dua t’u flas njerëzve racional të vendit, atyre që përfaqësojnë orientimin properëndimor, atyre që janë shumicë; atyre që me qëndrimet e tyre shtetare e properëndimore i humbin gjithë legjitimitetin politik kësaj qeverie. Sepse shkatërrimi i aleancës me miqtë tanë as nuk ka përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës, vullnet ky historikisht properëndimor. Sepse për shkatërrimin e aleancave tona historike, ky vend nuk ka votuar asnjëherë.

Tani, Kosova ka patur çdo të drejtë – dhe jo vetëm të drejtë, madje dhe obligim – të organizojë zgjedhje demokratike në veri. Në fakt, mos organizimi i tyre atje ka qenë abstenim nga obligimi kushtetues, ne kemi treguar dhe kritikuar institucionet e vendit për mos mbajtjen e zgjedhjeve atje, dhe vendi ynë ka abstenuar për gjashtë muaj nga ushtrimi i detyrimeve kushtetuese në veri.

Ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka garuar në këto katër komuna veriore, sepse nuk ndjejmë se mund të përfaqësojmë qytetarët kosovarë të etnisë serbe atje, siç dhe nuk garojmë në shumicën e komunave jugore me shumicë popullsi serbe, ne kemi mbështetur garën e partive tjera në veri. Kemi dhënë po ashtu dhe mbështetje për institucionet e vendit për të siguruar një proces normal dhe kushtetues të tranzicionit të pushteteve. Sepse kemi besuar, dhe besojmë, se kjo është e drejta e një shteti të pavarur e demokratik.


Kjo e drejtë e jona, e pakontestueshme si e drejtë, nuk mund të na hiqet nga askush. Por ajo mbetet vetëm e drejtë që sot ushtrohet brenda një kryetari të ngujuar ‘si në Hotel’, me polici rreth tij, ushtarë të NATO-s në mes, e me banda kriminale përreth që kryeministri i njeh; mbetet me tre kryetarë tjerë që s’janë duke ushtruar funksionin e tyre kushtetues dhe mbetet dhe me sanksione penalizuese kundër Kosovës. Çfarë sovraniteti tani na qenka ky?

Pra thënë ndryshe, kjo e drejtë e jona, pa mbështetje ndërkombëtare për formën që ne duam ta ekzekutojmë atë, mbetet veçse ndjenjë e parealizuar. Dhe mbi këtë ndjenjë, popullistët e pushtetit, komentatorët e tyre publik e proqeveritare, e fatkeqësisht një pjesë e qytetarëve të kurthuar në popullizmin antiperëndimor, ushtrojnë gjithë mllefin e vet. Ndaj SHBA-ve, ndaj NATO-s, ndaj BE-së; praktikisht ndaj gjithë atyre që vendi i ynë i ka patur ne anë kur ka materializuar historikisht të drejtën e vet.

Mos të harrojmë. Shqiptarët e Kosovës kanë patur të drejtë historike për liri, pavarësi e për demokraci. Megjithatë, na është dashur 10 vite përpjekje të organizuar politike gjatë të 90-tave, një luftë e armatosur e çlirimtare, gjaku i heronjve tanë, mbi 12,000 të vrarë, prej të cilëve 1300 fëmijë, që bota Perëndimore të sheh të drejtën tonë; në përmasën që ajo e drejtë të merr formë. Mbi të gjitha, na është dashur një politikë e matur, që nuk ballafaqon Kosovën me aleat, por i bindë aleatët që Kosova ti ketë në krah, për të patur rezultat. Vetëm falë një bashkërrugëtimi të tillë, ne kemi marrë dhe lirinë dhe pavarësinë dhe demokracinë.

Kësaj politike nuk i thonë nënshtrim. I thonë mençuri. I thonë patriotizëm. I thonë veprim historik në momente kritike historike.

Dhe sot, kjo e drejtë e sotme e jona, pa Perëndimin, pa aleatët tanë, nuk ka gjasë të ekzistojë. Prandaj dhe kryeministri tërhiqet. Mund t’i duhet kohë si për çdo vendim tjetër dhe për targa dhe për zgjedhje, mund të duhen dëme ndërkombëtare me përmasa botërore, mund të na duhen shembuj, për ta kuptuar, por eventualisht do ta kuptojnë të gjithë se kjo rrugë s’ka gjasë; prandaj dhe kryeministri tërhiqet dhe na kthen në pikë të parë, në kthimin e të njëjtëve njerëzve, në institucione të njëjta, në procese të njëjta veçse me një dëm të madh për një vit.

Nuk do të ketë lavdi në këtë rrugëtim. Nuk do të ketë as martirë politik nëse jeni duke kërkuar të tillë. Do të ketë vetëm dëme të pariparueshme për shtetin e Kosovës e më pas këto dëme do t’i bartim të gjithë.

Prandaj LDK është vendosur ndryshe. Jo të futet në vallen e popullizmit fatkeq, që në nivelet më të ulëta intelektuale, profesionale e shtetare të njohura për politikën tonë vendore e ndërkombëtare ndonjëherë, sjellë vrer e urrejtje për shtyllat e vet shtetësisë sonë; për aleancën tonë veri atlantike.

Por të themi se nuk futemi vetëm në vallen e popullizmit nuk mjafton. Kjo na bën vetëm spektatorë në Kosovë e ne nuk jemi të tillë. Dorëzimi para popullizmit është ikje nga detyra patriotike e secilit që ka vendosur të merret me politikë. Prandaj jemi të vendosur, që këtë rrëshqitje strategjike të Republikës të Kosovës ta parandalojmë me çdo mjet. Fati ynë politik është i parëndësishëm, nuk ka rëndësi fati ynë politik kur Kosovës i lëkundët shtylla strategjike. Vazhdimi i mos koordinimit me aleat, i përplasjes publike, vazhdimi i sanksioneve nga SHBA-të dhe NATO nuk lë vend më për demokraci. Nuk lë vend më për sjellje normale. Mos na dërgoni në një situatë të tillë.

Kosova ka nevojë ta kthehej dinjitetin dhe perspektivën e vet. Kosova ka nevojë që ta ketë të ardhmen e vet, që ta mund ta planifikojë zhvillimin e vet e mirëqenien për qytetarët e vet e për brezat e rinj. Nuk mund të lejojmë që taktikat aventureske, fëmijërore e puro ideologjike të Kurtit të shndërrohen në fatura për Kosovën dhe popullin tonë. Asnjë borxh nuk ia kemi Kurtit. Asnjë borxh të tijin personal nuk do ta pranojmë për Kosovën. E ardhmja politike e tij le të jetë brengë e tij. Ai le të vazhdojë të mbetet peng i vetes e në kërkim të martirizimit politik. E ardhmja sovrane e Kosovës do të jetë preokupimi ynë kryesor dhe do të jetë preokupimi ynë i vetëm. Ju faleminderit.

Të ngjashme