Abdixhiku për koeficientin: Koeficienti i zbrazjes së Kosovës!

Prishtinë | 01 Shk 2023 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas publikimit të vlerës së koeficientit në vlerë 105, duke thënë se kjo është një goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve e ushtarëve.

“Koeficienti i zbrazjes së Kosovës!”, e ka quajtur Abdixhiku.

“Në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri. Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi. Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në Facebook.

Tutje ai tha se LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125, për çka tha se do ta dërgojnë menjëherë si amandament në Kuvend.

“Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amandament në Kuvend”.

“Një qeveri të shpërputhur nga realiteti, vendi ynë nuk e meriton. Kosova meriton më mirë, Kosova mundet më shumë!”, përfundoi ai.

Të ngjashme