Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dënuar sulmet e së dielës ndaj Policisë së Kosovës, nga një grup terrorist serbë në Banjskë të Zveçanit. Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Abdixhiku tha se në krye të grupit të terroristëve qëndronte Milan Radojçiq, raporton Ekonomia Online.
Ndër të tjera, kreu i LDK-së tha se sulmi i së dielës ka pasur për qëllim nxitjen e përplasjes e policisë me popullsinë civile. Ai lavdëroi edhe reagimin e institucioneve të sigurisë në aksionin e së dielës.
“Këtë të diele Republika e Kosovës u bë cak i një sulmi mirë të organizuar, mirë të paramenduar terroristë. Në krye të këtij organizimi qëndronte krimineli, tashmë i shndërruar në terroristë, Milan Radojçiq në mbështetje të tij, tashmë pas asnjë dyshim qëndronte Republika e Serbisë. Qëllimi ishte i qartë siç u kuptua nga sponsorizuarit e sulmit terroristë, krijimi i një realiteti të ri në veri dhe për krijimin e këtij realiteti të ri në veri, duheshin edhe viktima. Ato vinin në formë e pelegrinëve si vizitorë në Manastirin e Banjskës, si masë nxitëse e një përplasje në mes të Policisë së Kosovës me popullsinë civile në veri”.
“Këtë skenar që është e vërteta Kosova, dhe të gjitha shtetet e dala nga lufta pas shpërbërjes së Jugosllavisë e kishin të njohur tashmë. Kohët mund të kenë ndryshuar, por mjetet, forma dhe njerëzit jo aq. Si përgjigje ndaj këtij sulmi institucionet e tona të sigurisë e kishin dhënë përgjigjen më të mirë të mundshme. Në bashkëpunim me aleatë, me profesionalizëm më të lartë të mundshëm e me guxim patriotik të Republikës, e diela e nisur me tragjedi në mëngjes u shndërrua në një ditë të triumfit të së drejtës ndaj terrorit”.