LDK-ja synon fuqizimin e gruas në parti e shtet, kritikohet qasja e Qeverisë karshi dhunës ndaj tyre

Prishtinë | 14 Sht 2022 | 18:54 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas, me moton “Gra të fuqizuara, Shtet i fuqishëm”.

Në këtë forum, u kritikua qasja e Qeverisë karshi grave e sidomos pas rasteve të fundit të dhunës seksuale.

Kryetarja e Forumit të Gruas, Jehona Lushaku-Sadriu, duke folur për fuqizimin e gruas në shoqëri, adresoi kritika në drejtim të institucioneve për rastet e dhunës ndaj grave.

“Disa mëngjese këto javë jemi shtangur duke dëgjuar raste të dhunës ndaj grave e vajzave të mitura. Kriza ekonomike dhe inflacioni po e vështirësojnë shumë jetën e qytetarëve. Dhuna e pranishme është dhunë fizike e mentale, e gjithë kjo situatë rëndon gratë”, tha ajo.

“Rastet e dhunës seksuale janë alarm kambana për të gjitha ne. Qeveria e ka monopolin e ndërhyrjes së këtyre rasteve. Qeveria e paaftë po e përcjelle këtë katrahurë në mënyrë pasive, pasi shteti duhet t’i mbroje gratë. Na takon t’i edukojmë djemtë e vajzat tona. Na duhet reagim i fuqishëm shtetëror që ngacmuesit të dënohen”, tha tutje ajo.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se një përqindje e vogël e grave janë të punësuara në Kosovë.

“Takimi ynë ka moto të veçantë “gratë e fuqishme, shtet i fuqishëm”. Ne kemi shtet të dobët. Vetëm 14% e grave janë në punë ndërsa te burrat arrin në 46%. 80% e grave as nuk janë aktive në tregun e punës dhe është shokuese. Vajzat tona po edukohen dhe po preferon më shërby në shtëpi natyrisht që jo. Këto gra e vajza në momentin që bëhen nëna detyrohen m’i dhënë fund karrierës. 80% e grave që diplomojnë as nuk kërkojnë punë”, tha ajo.

Ndërsa deputetja e cila aderoi para disa ditësh në këtë parti, Doarsa Kica-Xhelili, përmendi rastin e dhunimit të 11-vjeçares nga disa meshkuj.

Ajo kërkoi buxhet shtesë për institucionet e sigurisë në vend.

“Gjithçka që bëhet për gratë buron nga ato. As atëherë kur u është cenuar gjendja psikologjike. Ne kemi shumë durim. Andaj jemi këtu të prezantojmë platformën me vepra. Energjia e grave është e pashtershme për një shoqëri brutale me ne. Na u cenua rasti e shpirti me rastin e të dhunuarës 11 vjeçare. Sistemi të drejtësisë i duhet buxhet shtesë, i duhet buxhet shtesë edhe për policinë e Kosovës. Vettingu nuk ka alternativë dhe nuk duhet të shndërrohet në eksperiment”, tha Kica-Xhelili.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka premtuar më shumë hapësirë për gratë në partinë e tij, teksa të njëjtën e kërkoi që ta kenë edhe në institucione, raporton Ekonomia Online.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas, me moton “Gra të fuqizuara, Shtet i fuqishëm”, kreu i LDK-së, tha se vizion i tyre është që gratë dhe burrat të trajtohen barabartë.

Abdixhiku përmendi edhe grevën e përgjithshme dhe ikjen masive të qytetarëve.

“Si prind por edhe si politikan që kërkon ndryshim dhe ai LDK them të nisim angazhimin për ndryshimin e ligjeve. Tema e tilla trajtohen deri në detajin e fundit. Ju ftoj këto bindje t’i shtyjmë bashkërisht. Në këtë vizion vajzat dhe gratë duhet të jenë të barabarta. Një politikane grua duhet të ketë secilën hapësire brenda partisë e shtetit”, tha Abdixhiku.

“Për Kosovën është mision që kjo barazi të arrihet sa më parë. Këto probleme rëndojnë jetesën e fëmijëve tanë. Mbi 25 mijë mësimdhënës janë nën kërcënim financiar. Shumica e fëmijëve nuk janë duke vijuar shkollë. Mbi 60 mijë punëtorë janë larguar gjatë këtij viti nga Kosova. Po humbim edhe mjekë”, tha tutje Abdixhiku.

Lushaku: Bashkë do të fitojmë, bashkë dhe vetëm bashkë do t’ia dalim 

(Fjalimi i kryetares së Forumit të Gruas së LDK-së, Dr. Jehona Lushaku Sadriu, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas së LDK-së) 

“I nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku,  

E nderuara ish-kryetare e Forumit të Gruas, Lirie Kajtazi,  

Të nderuara kryetare të Degëve të Forumit të Gruas,  

Të nderuar anëtare dhe veprimtare, 

Të nderuar deputete dhe deputet të LDK-së në Kuvendin e Kosovës,  

Të nderuar mysafirë, 

Është kënaqësi që të hapë mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas, në cilësinë e kryetares së këtij institucioni tepër të vlefshëm. 

Jemi mbledhur këtu sot, për të zgjedhur e konsoliduar strukturën e Forumit të Gruas, të Lidhjes Demokratike të Kosovës; për të përmbyllur një proces zgjedhor që ka siguruar përfaqësim demokratik me shumë gra dhe vajza të reja nga të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës.  Një energji e re me fuqi përfaqësimi për të luftuar për të drejtat dhe kauzat e grave, në një rrugë të trasuar nga gratë e Forumit për dekada me radhë.  

Të dashura bashkëpartiake,  

Disa mëngjese radhazi kemi që jemi shtangur nga raportimet e rasteve të dhunës ndaj grave; vajzave të mitura; rastet e dhunës në familje e cenimit  elementar të drejtave të grave në vendin tonë. Krizat ekonomike në të cilat po kalon vendi jonë e vështirëson edhe më shumë këtë situatë: inflacioni ka arritur shifra rekorde dhe kriza energjetike ka filluar qysh në stinën e verës.  

Pasiguria e presioni që shumë gra po përjetojnë përgjatë kësaj kohe është alarmante; ato po përballën me ndërprerje të kontratave të punës; e veprimtaria e tyre po kufizohen vetëm në sferën private. Por dhuna e pranishme së fundi është përtej dhunës ekonomike, është edhe dhunë fizike mentale e seksuale në mënyrë sistematike. E gjithë kjo situatë rëndon padrejtësisht shumë më shumë mbi gratë duke shkaktuar makth për jetën e tyre.   

Të dhënat mbi dhunën në familje janë në rritje, janë  shqetësuese dhe shpërfaqin realitetin tonë shtetëror dhe shoqëror se si përgjigjemi ne ndaj krizave të tilla.   

Rastet e fundit të dhunës seksuale, përveç që janë shokuese janë edhe këmbanë alarmi për të gjithë ne. Mobilizimi i përbashkët është i domosdoshëm që me seriozitet maksimal, pa dallim, të shtrijmë aktivitetin tonë pikërisht në parandalimin e këtyre rasteve: duke e nisur nga familja, shkolla, në rrethe shoqërore e deri në parti. 

Por, përgjegjësia bie mbi shtetin -Qeveria ka monopolin e pushtetit të ndërhyrjes për të ndikuar në parandalimin dhe prioritizimin e trajtimit të këtyre rasteve. Përkundrazi, kjo Qeveri e paaftë është ulur në tribuna dhe po e përcjell gjithë këtë katrahurë si një spektatore pasive.   

Nuk mjaftojnë disa shkarkime e deklarata të zbrazëta që për qëllim kanë vetëm delegimin e fajit te tjetri. Në asnjë mënyre nuk duhet të lejojmë që pasiguria e grave dhe vajzave të shndërrohet në një normalitet. Shteti nuk duhet të braktisë vajzat dhe gratë, shteti duhet t’i mbrojë ato. Kemi nevojë për një shtet të përgjegjshëm me masa serioze.  

Derisa dhuna është rritur në nivele shqetësuese edhe  reagimi jonë duhet të jetë urgjence kombëtare. 

Si e tillë na takon të gjithëve të mobilizohemi qysh nga bankat shkollore t’i  edukojmë djemtë e vajzat tona mbi integritetin trupor e etikën e sjelljes, përmes kurikulave të reja që qëllim kanë parandalimin e këtyre rasteve.  

Ta bëjmë të qartë, se sjellja dhe vendimet e organeve të rendit dhe ligjit përcaktojnë mënyrën dhe besimin që qytetarët kanë ndaj këtyre fenomeneve. Mos-ndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, kontribuon plotësisht në kulturën e heshtjes! Gjithsesi na duhet një reagim i fuqishëm shtetëror që ngacmuesit e dhunuesit të raportohen e dënohen në mënyrën e merituar.  

Andaj, nga sot, LDK shpall të hapur platformën “GRATË të fuqizuara, SHTET i fuqishëm” me të cilën synon para së gjithash të fuqizojë gratë; të mbledh rreth vetes gra që krijojnë strategji shumëdimensionale ndikimi në të gjitha fushat e institucionet, për të drejtat e grave dhe vajzave tona. Kjo Platformë do të hapë një dritare komunikimi me gratë e vajzat e të gjitha moshave, me të cilat bashkë do ta formësojmë programin tonë dhe politikat tona konkrete për gratë. Ne do të dialogojmë me nënat, mësueset, baballarët, drejtorët e shkollave, do te dialogojmë më të gjitha grupmoshat e profesionistët për krijimin e platformës gjithëpërfshirëse për gratë.  

Le të shërbejë kjo nismë si thirrje për çdo grua që dëshiron të na bashkangjitet; për çdo grua e burrë që dëshiron të kontribuon me mendime e veprime konkrete që gratë të fuqizohen, që vajzat të jenë të sigurta e shteti jonë të jetë vendi që jetohet me dashuri. 

Kjo është platforma jonë. Kjo është detyra jonë. Sepse, ne jemi LIDHJA e grave për të gjitha GRATË. Jemi LIDHJA e grave për të ardhmen.  

Me lejoni te them po ashtu se,  nuk do të negociojmë për ato që na takojnë. Të drejtat tona janë të panegociushme. Nuk mund të pyesim se a bën t’i ushtrojmë të drejtat që na takojnë. Dhe nuk të pyesim kurrë. Sepse kurrë nuk mund të pyesim se a duhet të zhvillohet shoqëria dhe shteti. Sepse DUHET, gjithsesi.  

Këtë ditë, le ta shënojmë si një fillim i domosdoshëm. Fillim meritor. Dhe padyshim fillim i mbarë për ne dhe shoqërinë. 

Forumi i gruas së LDK-së, qëllimin e themelimit e ka të shenjt e fisnik, këtë e tregon përkushtimi i tyre për ta jetësuar grupimin e parë politik të grave në vendin tone, në kohërat më të errëta për ne. Andaj është detyrë e jona që sot Forumi  Gruas të jetë platformë gjithëpërfshirëse, me qëllimin kryesor që gruaja të trajtohet në mënyrë të dinjitetshme. Forumi do të jetë krahë i djathtë për secilën vajzë dhe grua në rrugëtimin e tyre politik e shoqëror.  

Dera e LDK-së dhe forumit do të jetë e hapur për të gjitha ato që politikën e shohin si mjet, për avancimin shoqëror dhe përmirësimi e kushteve për gratë.  

Ndaj nga sot ftoj të gjitha strukturat, degët e nëndegët e forumit të përfshihen në hartimin e platformës sonë të përbashkët politike ‘Gra të fuqizuara, shtet i fuqishëm.   

Ashtu siç jemi ngritur në këmbë; Bashkë, do të qëndrojmë.  

Bashkë do të fitojmë;  Bashkë dhe vetëm bashkë do t’ia dalim.” 

Abdixhiku: Zotohem se çdo sfidë e juaja është dhe e imja

(Fjalimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas së LDK-së)

“Faleminderit, zonja Kryetare!
Zonja të nderuara, kolege, mike dhe bashkëpunëtore,
Të nderuar, përfaqësues të medieve,
E dashur Albinë,
Më lejo të falënderoj këtu për gjithë durimin që e ke që problemet e partisë t’i mbajmë në shtëpi, por siç po e sheh në këtë kauzë jemi të gjithë bashkë, me gra, dhjetëra, qindra e mijëra gra gjithandej Kosovës, që dëshirojnë të ardhmen e fëmijëve tanë ta bëjnë më të mirë në këtë Kosovë.

Të dashura Zonja,
Është nder dhe kënaqësi e veçantë, që jam sonte këtu në mesin tuaj. Organizimet si këto, i japin kuptim të plotë angazhimit tonë politik në të gjitha nivelet tona partiake dhe jo vetëm.

Kam menduar gjatë, shumë gjatë si ta nis këtë fjalim sot; dhe në fakt ky fjalim nuk është fare i lehtë. Nuk është i lehtë sepse vjen në një kohë kur lajmet tronditëse rreth trajtimit të grave e vajzave dhe pasigurisë së tyre në Kosovë, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Dhe në gjithë këtë zakonshmëri të tyre, ato po kapërcejnë me fjalime përplot, aty këtu edhe ndonjë protestë, por në fund me kthim në normalitet deri në shfaqjen e rastit tjetër.

Ky nuk duhet të jetë qëllimi ynë si parti; e kjo nuk duhet të jetë dhe pritja jonë si shoqëri. Si parti nuk mund të presim që ngjarjet të ndodhin e ne më pas të reagojmë. Si shoqëri nuk guxojmë të futemi në ciklin e dënimit, protestës e heshtjes – për tu rikthyer sërish nga fillimi.

Si prind fillimisht, por dhe si politikan që kërkon ndryshim në këtë sferë, si parti e Lidhje që ka nisur gjithnjë ndryshimet e mëdha në vend, them le të nisim angazhimin tonë konkret në ndryshimin e ligjeve, propozimin e rezolutave, e ofrimin e programeve që bëjnë këtë ndryshim.

Sot në fjalimet paraprake, dëgjuam nisma, ide e propozime konkrete. Në diskutimet tona të forumeve të brendshme, temat e tilla trajtohen deri në detajet e fundit ideore. Në grupet tona punuese programore, ne i shtrojmë alternativat tona udhëheqëse.

Prandaj më lejoni të ju ftoj, që këto ide, propozime, e bindje që i kemi; që i diskutojmë e shtjerrim përbrenda, t’i shndërrojmë në politika konkrete që ushqejnë vizionin tonë të përbashkët për gruan dhe vajzën në shoqërinë kosovare.

Ky vizion nuk i sheh vajzat dhe gratë të pasigurta në rrugë; të pabarabarta në punë; të nënpërfaqësuara në parti; e të diskriminuara në familje. Në këtë vizion vajzat dhe gratë e shoqërisë sonë duhet të jenë të barabarta në çdo sferë të jetës. Dhe kur them barabartë, mendoj për barazi pesëdhjetë me pesëdhjetë – siç dhe jemi vërtet.

Një vajzë mund të zgjedhë cilindo profesion që do; një grua ndërmarrëse duhet t’i ketë të gjitha parakushtet që e trajtojnë atë barabartë më konkurrentët burra; një politikane grua duhet të ketë secilën hapësirë vepruese në parti e në shtet; e një pjesëtare familje secilën të drejtë të mundshme.

Nëse kemi probleme me siguri, le të fokusohemi andej. Le të bëjmë trupa të veçanta në gjithë sistemin e drejtësisë e sigurisë. Nëse kemi pabarazi në punësim, të krijojmë politika stimuluese që thyejnë këtë pabarazi. Nëse kemi probleme shoqërore e kulturore, le të shkojmë si shtet e si politikë në çdo qytet, fshat e lagje të Kosovës. Për Kosovën, është mision patriotik arritja e kësaj barazie. Për ne si parti, është detyrim ideologjik. Si individ, angazhimi për barazi gjinore është ndjenjë njerëzore.

Prandaj, të nderuara zonja, të ju them llogarisni në mua e LDK-në, i bie sikurse po ndahemi në ne dhe ju. Dhe kjo ndarje nuk ekziston. Por më lejoni të them që ju jeni vet LDK. Le ta shtrijmë këtë bindje tonën përtej fjalëve fillimisht në politika konkrete partiake, e më pas në mekanizma
të vërtetë shtetëror.

Por temat gjinore nuk janë brenga e vetme me të cilën gratë dhe vajzat e politikës duhet të merren sot. Vendi ynë po kapërcen në kriza të njëpasnjëshme ku zëri ynë politik duhet të jetë edhe më i fuqishëm sesa që është sot.

Këto probleme rëndojnë në vazhdimësi jetën tonë të përditshme, siç dhe rëndojnë në vazhdimësi të ardhmen e fëmijëve tanë, familjeve tona, e gjithë shoqërisë sonë. Sot derisa flasim këtu, mbi 318 mijë fëmijë nuk po vijojnë mësimin shkollor tash e 3 javë. Pothuajse secila familje kosovare e ka të pamundur të organizoj funksionin e vet të përditshëm për shkak të gjendjes së krijuar sot nëpër shkollat tona. Mbi 25 mijë mësimdhënës në anën tjetër janë nën kërcënim të sanksionimit financiar për shkak se me ta s’ka kush të dialogojë.

Familjet kosovare po përjetojnë shtrenjtimin më të rëndë të çmimeve në historinë moderne të Kosovës. Përballueshmëria e jetesës merr goditje të njëpasnjëshme pothuajse secilën ditë. Në pak më shumë se një vit e gjysmë, secili nga qytetarët tanë ka humbur një të pestën e fuqisë blerëse të tyre. Dhe përderisa mbesim në mëshirë të skemave sociale që jepen në panik, një mendje kemi sot për përballueshmërinë, tjetrën për dimrin e vështirë energjetik.

Dhe në gjithë këtë mes, mbi 60 mijë punëtorë kanë lëshuar Kosovën në vetëm gjashtë muaj kohë.

Po i humbasim nga 10 mijë punëtorë për çdo muaj si vend. Po humbasim profesione të të gjitha niveleve, po humbasim dhe mjekë. Shihni sot shkollat, spitalet, ndërmarrjet e zymtësinë e diskursit publik për të kuptuar rëndesën e vërtetë që çdo burrë e grua, i ri e i moshuar, e përjeton në Kosovë. Kjo nuk është Kosova që e kemi menduar e po e mendojmë të gjithë. Dikush duhet të flasë për secilin që barra e jetesës po i jep rëndesën secilën ditë.

Gruaja politike e LDK-së, duhet të angazhohet për të gjitha temat si këto. Ato janë brenga tuajat, janë brengat e fqinjëve tanë, janë brengat e secilit qytetar. Ata presin nga ne të japim zgjidhje, të ndërtojmë kauza, të marrim besim. Angazhimi për ta nuk është zgjidhje, në gjendjen e tanishme
që jemi, angazhimi për ta është obligim.

Prandaj, më lejoni të ju shtroj ftesën, që të më bashkëngjitni në ciklin e ri diskutues që do ta kemi nëpër gjithë Kosovën. Nga tetori e tutje, do të vizitojmë çdo qytet e çdo fshat, të flasim me njerëzit tanë, t’i dëgjojmë hallet dhe brengat e tyre, e t’u japim të njëjtëve zgjidhje. Të ndërtojmë
një platformë qeverisëse, që sot në opozitë dëgjon, nesër në qeverisje ekzekuton ndryshimin e madh dhe të vërtetë që Kosova ka nevojë.

Në këtë rrugëtim, LDK ka për detyrim të shkojë përtej vetes. Të afrojë sa më shumë rreth vetes, duke ruajtur boshtin e vet ideologjik e programor. Të ruaj dhe origjinalitetin e vet veprues. Në vend të fyerjeve e thashethemeve që mund të na jepen nga të tjerët, të bëjmë punën tanë siç jemi prej së vërteti. Të flasim me njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi, në atë përditshmëri të tyre që nuk njeh gjuhë tjetër përveç se mbijetesës. Të flasim me vajzat dhe gratë e vendit, që pasiguria fizike u kufizon liritë në secilën ecje të tyre. Të flasim me familjet tona, që të ushqejmë progresiven, e le të shtyjmë kauza që vërtetë ndryshojnë vendin tonë.

Në vend të zymtësisë depresive që të tjerët krijojnë, të japim shpresën e njëmendtë që vendi ynë e meriton. Duke ju njohur nga afër, duke ju njohur mirë, përveç se jam i bindur se ndryshimin mund ta bëjmë bashkërisht, jam dhe krenar që jemi në rrugëtimin e njëjtë politik me ju.

Prandaj, të nderuara zonja, duke ju uruar punime të mbara në këtë takim të Këshillit të Përgjithshëm, duke u zotuar që çdo sfidë e juaja është dhe e imja, më lejoni që këtë fjalim timin ta përfundojë me fjalët e një ndër politikaneve më inspiruese të shekullit të shkuar, zonjës së hekurt, Margareth Thatcher, me shpresë shumë që kolegët e tjerë të pakët në këtë dhomë nuk do të hidhërohen me mua, por – “në politikë, nëse doni vetëm fjalë, i thuani një burri; nëse doni punë, i thuani një gruaje”.

Prandaj, le t’ia nisim punës!
Ju faleminderit!

Të ngjashme