Abdixhiku premton: Paga 1000 euro për mësuesit dhe 900 euro për policët, zjarrfikësit e ushtarët

Prishtinë | 16 Dhj 2025 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Lumir Abdixhiku, kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës i është drejtuar mësuesve të Kosovës me zotimin se paga nën qeverisjen e tij do të jetë 1000 në muaj, raporton Ekonomia Online.

Përderisa, për policët, zjarrfikësit e ushtarët, do të jetë 900.

“Janë mësuesit që edukojnë fëmijët tanë, mjekët e infermierët që mbajnë gjallë shëndetësinë, policët e zjarrfikësit që garantojnë sigurinë, ushtarët që mbrojnë vendin, dhe administrata që e mban shtetin në këmbë kur politika dështon. Për vite të tëra, ata kanë punuar nën presion të madh, nën ngarkesë të tepërt, shpesh të sulmuar, të nënvlerësuar e të lënë pas dore. Dhe kjo nuk mund të vazhdojë më. Prandaj, ne kemi marrë zotimin e qartë, të prerë dhe të përgjegjshëm: të rrisim pagat e punëtorëve të administratës së shtetit me koeficientin 150. Koeficienti 150 për 80 mijë të punësuar në shtet, do të thotë zhvillim, e mundësi për përballim të çmimeve të larta të rritura në vazhdimësi për pesë vjet për 80 mijë familje kosovare në vend”, tha ai.

Abdixhiku tha se do t’i rrisin pagat sepse ata e rrisin Kosovën.

“Prandaj sonte u drejtohem mësuesve të Kosovës, me zotimin e plotë se paga për mësues, në qeverisjen tonë do të jetë 1000 euro në muaj. Ky është një nivel i ri i projektimit të mësuesit kosovar, nga një simbol qendrese në vitet e 90-ta; në simbol force zhvillimore për Republikën sot. 1000 euro pagë për mësuesin e vendosë këtë kategori fisnike sumë përpara vendeve në rajon. Sonte u drejtohem dhe policëve, zjarrfikësve e ushtarëve të Kosovës, me zotimin e plotë se paga për ta, në qeverisjen tonë do të jetë 900 euro në muaj. Administrata e shtetit, policët, zjarrfikësit, ushtarët, nuk mund të jetë e dobët kur Kosova ka nevojë të jetë e fortë. Nuk mund të jetë e papaguar drejt në një kohë kur kërkojmë cilësi, shpejtësi e profesionalizëm. Nuk mund të jetë e demotivuar në një vend që kërkon zhvillim. Prandaj, ne do ta nderojmë administratën. Ne do ta mbështesim. Ne do t’ua rrisim pagat, sepse ata e rrisin Kosovën çdo ditë”, theksoi ai.

Të ngjashme