Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka prezantuar sonte në Obiliq 110 kandidatët për deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku në fjalën e tij tha se vendi po hyn në zgjedhje pas viteve të humbura në pasiguri, konflikt dhe polarizim të thellë.
“Po mblidhemi në një kohë kur institucionet e vendit kanë mbetur pa funksion, kur legjitimiteti demokratik ka humbur secilin kuptim, kur Kushtetuta është shkelur dhe shkelet me qëllim, kur demokracia është lënduar si vlerë e besim; e mbi të gjitha, kur qytetari është lodhur fort, është harruar e lënë i pa shpresë në vendin që vazhdon të jetë i fundit në Evropë,” deklaroi ai.
Sipas Abdixhikut, Kosova ndodhet në një krizë shumë më të thellë se ajo politike.
“E vërteta është e thjeshtë dhe e rëndë njëkohësisht: Kosova sot nuk është vetëm në një krizë politike; ajo është në një krizë morale; në krizë besimi. Besimi i njeriut te shteti është thyer në momentin kur shteti nuk i zgjedh institucionet vet për një vit, kur politikanët janë më të fuqishëm se gjykatësit e prokurorët dhe kur Kushtetuta, dokumenti më i lartë i shtetit, shkelet qëllimisht,” tha ai.
Ai theksoi se qytetari është lënë pa përkrahje dhe pa perspektivë.
“Qytetari ynë sot nuk kërkon as privilegje, as favore. Kërkon vetëm një shtet normal; një shtet që funksionon, një qeveri që punon, një politikan që e mban fjalën; një ekip që ua bën të ardhmen. Këtë kërkesë minimale, këtë bazë të qeverisjes moderne, pushteti aktual ia ka mohuar vendit tash e pesë vjet,” u shpreh Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se vendi është bllokuar nga përplasjet politike dhe konfliktet e brendshme.
“Në betejat e tyre imagjinare kemi ngecur të gjithë. Në betejat e tyre imagjinare po humbim kohën të gjithë. Në betejat e tyre imagjinare, shteti po gërryhet nga brenda secilën ditë,” deklaroi ai.
Ai shtoi se Kosova nuk ka kaluar sakrifica për të përjetuar dështim shtetëror nga brenda.
“Kjo tokë ka kaluar luftë, ka kaluar sakrifica, ka kaluar betejën më të madhe historike – atë për liri e shtetësi – dhe nuk është ngritur pas gjithë asaj dhimbjeje për të përjetuar një dështim shtetar nga njerëzit e vet. Kosova nuk ka rezistuar për këtë. Kosova nuk ka luftuar për këtë,” tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se momenti aktual kërkon zgjim dhe drejtim të ri politik.
“Sot kërkohet përgjigje. Sot kërkohet kthesë. Sot kërkohet përgjegjësi. Sot kërkohet shpresë. Dhe shpresë do të ketë! Ky është qëllimi ynë”, tha ai.
LEXO EDHE:
Duke shpjeguar pse LDK-ja është alternativa e duhur, Abdixhiku tha se kjo parti nuk vjen me përçarje apo improvizim.
“LDK-ja nuk vjen as me hakmarrje, as me mllef, as me improvizim. Ne vijmë me përvojë, me dije, me maturi, me institucione, me vizion të qartë e të guximshëm. Me një traditë që nuk e ka përdhosur kurrë shtetin dhe me një histori që nuk e ka ndarë kurrë popullin”, theksoi ai.
Ai shtoi se LDK-ja historikisht ka qenë forca e stabilitetit institucional.
“LDK-ja ka qenë forca e normalitetit në kohë krizash, forca e qetësisë në kohë përplasjesh, forca e shtetit kur të tjerët luanin me shtetin – dhe pikërisht kjo është ajo që Kosova kërkon sot: normalitet, qetësi, përgjegjësi dhe zhvillim,” tha Abdixhiku.
Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin LDK-në në zgjedhjet e parakohshme.
“Na jepni mundësinë ta çlirojmë vendin nga populizmi, nga propaganda dhe urrejtja e zymtë. Jo këngë për kapje pushke, por kapje pune për ta ndrequr vendin më të fundit në kontinent. Nuk na fal askush nesër gabimet e sotme. Le të ngrihemi si një – ju, ne, Kosova, të gjithë” shtoi ai Abdixhiku.
