Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një tubim elektoral në Prizren, duke theksuar nevojën për qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillim të qëndrueshëm, raporton Ekonomia Online.
Ai kritikoi qeverisjen aktuale për bllokadë institucionale dhe mungesë vizioni, duke premtuar investime të mëdha në familje, arsim, shëndetësi, siguri dhe ekonomi lokale.
“Prizreni është dëshmi se Kosova di të jetojë me dallime, di të ruajë traditën dhe di të ndërtojë të ardhmen pa e humbur shpirtin e vet. Por sot, Prizreni nuk po jeton në përputhje me potencialin e tij. Një qytet me turizëm unik, me trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore, me rini kreative dhe me pozitë strategjike, po përballet me mungesë vizioni, me harresë institucionale dhe me një qeverisje që nuk e sheh qytetin si prioritet zhvillimi. Dhe kjo nuk është vetëm problem i Prizrenit – është simptomë e një problemi më të madh shtetëror. Por për ta kuptuar pse gjendja sot është e tillë, duhet ta themi hapur edhe një të vërtetë tjetër: viti i fundit ka qenë vit i bllokadës institucionale, ndërsa pesë vitet e fundit kanë qenë vite të humbura për Kosovën. Kosova ka jetuar pa institucione funksionale, pa Kuvend efektiv, pa qeverisje të përgjegjshme dhe pa vendimmarrje që i shërben qytetarit. Konfliktet politike, shkeljet kushtetuese dhe kokëfortësia e pushtetit kanë prodhuar paralizë. Dhe kur shteti bllokohet, nuk bllokohet propaganda – bllokohet jeta reale e qytetarëve. Në këtë bllokadë, Prizreni ka qenë ndër humbësit më të mëdhenj. Projektet janë vonuar. Investimet janë ndalur. Vendimet janë shtyrë. Zërat lokalë janë injoruar. Qyteti është lënë të presë, ndërsa qeveria është marrë me konflikte, akuza dhe retorikë boshe. Kjo nuk është qeverisje kjo është papërgjegjësi”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut në fokus të programit të LDK-së janë: pagesa për fëmijë dhe mësues, punësim i garantuar për të diplomuarit, investime kapitale në qytet dhe energji të qëndrueshme.
“Pesë vite qeverisje populiste nuk i kanë sjellë Kosovës zhvillim të qëndrueshëm, por pasiguri. Nuk i kanë sjellë institucione më të forta, por institucione më të dobëta. Nuk i kanë sjellë qytetarëve shpresë, por zhgënjim. Premtimet e mëdha janë shndërruar në justifikime të vogla. Fjalët e forta në mungesë rezultatesh. Dhe propaganda në vend të punës është bërë temë kryesore. Populizmi funksionon vetëm në fjalime. Por shteti nuk mbahet me fjalime. Qytetet nuk zhvillohen me slogane. Familjet nuk jetojnë me retorikë. Prizreni nuk ka nevojë për zhurmë politike – ka nevojë për institucione që punojnë, për qeveri që merr përgjegjësi, për shtet që respekton Kushtetutën dhe qytetarin. Dhe kjo është arsyeja pse sot Kosova ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm. Ose vazhdon me improvizim, konflikt dhe bllokadë, ose kthehet te qeverisja e matur, institucionale dhe serioze. Nuk ka rrugë të mesme. Gjendja ekonomike sot është e rëndë për shumë grupe shoqërore. Familjet po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës. Çmimet janë rritur, shpenzimet janë shtuar, ndërsa të ardhurat kanë mbetur prapa. Prindërit punojnë më shumë, por sigurojnë më pak. Në një qytet si Prizreni, ku familja ka qenë gjithmonë shtylla e shoqërisë, kjo goditje ndihet thellë dhe çdo ditë.Në këtë moment, Kosova ka nevojë për ndryshim serioz. Jo për eksperiment. Jo për improvizim. Por për rikthim të shtetit funksional. Dhe këtu hyn Lidhja Demokratike e Kosovës.
Prandaj ne investojmë te familja. Jo simbolikisht, por seriozisht. 200 euro në muaj për çdo të porsalindur për 12 muaj, gjithsej 2 400 euro. Dhe 50 euro në muaj për çdo fëmijë nga mosha 1 deri në 16 vjeç. Kjo është dorë e shtetit mbi supin e prindit. Është mesazh se shteti është me familjen, jo kundër saj. Është investim në jetë, në stabilitet dhe në të ardhmen e Prizrenit. Ne investojmë në arsim, sepse Prizreni është qytet kulture dhe dijeje. Sepse ky qytet ka nxjerrë mësues, intelektualë dhe artistë që i kanë shërbyer gjithë Kosovës. Por sot, mësuesi nuk është i respektuar sa duhet. Dhe kur mësuesi humb dinjitetin, humb cilësia e arsimit. Prandaj ne vendosim pagë 1 000 euro për mësuesit. Jo vetëm si rritje financiare, por si rikthim i respektit për profesionin. Dhe prandaj investojmë 1 miliard euro në çerdhe dhe mësim tërëditor. Sepse arsimi fillon herët. Sepse çdo fëmijë i Prizrenit meriton kushte moderne, të sigurta dhe të barabarta. Ne investojmë te të rinjtë, sepse rinia e Prizrenit është pasuri që po rrezikon të humbasë. Sepse sot, shumë të rinj ndihen të padukshëm për shtetin. Studiojnë, diplomohen, por mbesin në pritje. Dhe pritja e gjatë shndërrohet në zhgënjim, e zhgënjimi në ikje. Prandaj ne ofrojmë punësim të garantuar për çdo të diplomuar, gjashtë muaj me pagesë 500 euro. Jo si favor, por si urë mes shkollimit dhe punës. Prandaj trajnojmë 40 mijë të rinj në teknologji informative. Sepse e ardhmja nuk ndërtohet duke eksportuar rini, por duke i dhënë asaj arsye për të qëndruar. Ne investojmë në shëndetësi, sepse shëndeti nuk pret. Sepse çdo qytetar i Prizrenit meriton trajtim dinjitoz, pa u detyruar të kërkojë shërim jashtë vendit. Ndërtimi i Qendrës së Re Klinike me 500 milionë euro është domosdoshmëri, jo luks. Është investim në jetë dhe në besimin e qytetarëve te shteti i tyre. Pagë 900 euro për policët, ushtarët dhe zjarrfikësit është mesazh respekti për ata që na mbrojnë çdo ditë. Ne investojmë në ekonomi dhe zhvillim lokal. Pesë miliardë euro investime kapitale në katër vite dhe rritje ekonomike prej pesë për qind. Këto nuk janë shifra të thata. Janë rrugë më të mira, ujësjellës funksionalë, mbështetje për turizmin, artizanatin, gastronominë dhe bizneset familjare. Prizreni ka potencial të bëhet qendër rajonale e turizmit kulturor – dhe ky potencial do të shfrytëzohet”, ka shtuar ai.


