Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se punimet në “Rrugën A” në Prishtinë, kanë rinisur sot.
Ato ishin bllokuar me vendim të Gjykatës Komerciale, e cila “rastisi” të jetë motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
“Shkalla e dytë e Gjykatës Komericiale rrëzoi vendimin skandaloz të gjykatëses familjare. E rrëzoi sepse ishte joprofesional; e rrëzoi sepse ishte shkelje e rëndë”, ka shkruar Abdixhiku, në Facebook.
“Vendimet e urdhëresave politike s’mund të përfundojnë ndryshe. Popullistët, me gjithë mllefin e urrejtjen që bartin për punën e tjetrit na humbën veçse kohë. Do të duhej të kishin brenga tjera, do të duhej të kishin qëllime të tjera; sepse vendi ka nevoja plot”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
“Ne vazhdojmë; ekipit të Kryeqyteti u themi puna e mbarë ju qoftë; e qytetarët e Prishtinës megjithatë nuk do të harrojnë!”, ka shkruar në fund Abdixhiku.