Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar sërish për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas seancës për votimit e presidentit, pa pasur kuorum.
Në një postim në rrjetin social facebook, ai ka thënë se sonte ishte një natë e rëndë për Republikën.
“E paimagjinueshme për shtetin e ri demokratik e për ata që e duan këtë vend si shtet normal. Sonte, Lëvizja Vetëvendosje inicioi përmbysjen e rendit kushtetues, duke imponuar vullnet parapolitik kundrejt çdo standardi demokratik. Për këtë akt të sontëm do të ketë pergjegjësi politike, institucionale e kombëtare. Republika nuk mund të merret peng dhe nuk do ta lejojmë të merret peng nga ata që e trajtojnë si leckë.”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka përsëritur se i ka ofruar 15 nënshkrimet për president.
“Këto janë 15 nënshkrimet e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kandidatin e LDK-së, të dhëna mbi bazën e propozimit tim për një marrëveshje politike që u refuzua sot nga Lëvizja Vetëvendosje në një seancë përplot propagandë. Mes shtetit ‘karate’, propagandës e mashtrimit, ne zgjedhim Republikën! Të përhershmen, të përjetshmen!”, ka shkruar ai.